
Prokuroria e Tiranës është në pritje të akteve penale ndaj Agim Kajmakut, për të ngritur një akuzë konkrete ndaj tij për falsifikim të dokumenteve zyrtare. Një ditë pasi shkresa e njësisë së dekriminalizimit ndaj Kajmaku ju delegua Prokurorisë Tiranë për kompetence hetimore, zyrtarisht mësohet se ndaj Kryebashkiakut të Vorës do të kërkohet dhe masë sigurie për akuzat e ngritura.
Kajmaku akuzohet për falsifikim të formularit të dekriminalizimit dhe pritet që të premten, bashkë me kërkesën për masën e sigurisë, ai të njihet edhe me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shkarkimin e tij si Kryebashkiak. Vepra për të cilën akuzohet Agim Kajmaku parashikon gjobë deri në 4 vite burgim.
Por ndërkohë që pret të marrë vesh vendimin e KQZ për të, Kajmaku duket se mungon në zyrën e tij në Bashkinë e Vorës. A2 ka kërkuar komunikim me të, por prej dy ditësh ai nuk është paraqitur gjatë orarit zyrtar të punës. Ndërkohë, qytetarët duken indiferent ndaj akuzave për Kryebashkiakun e tyre dhe thonë se këtë gjë duhet ta vendosë Gjykata. (A2 Televizion)