
Katër ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, Lulzim Basha u ndal në Korçë nga ku “garantoi të gjithë banorët që për 8 vite u gënjyen nga premtimi për legalizimet falas dhe e dëgjuan planin e Edi Ramës për t’ju marrë votën, për t’jua prishur pa dëmshpërblim 100 mijë shtëpi shqiptarësh, do të marrë fund me votën për numrin 9, më 25 prill”.
“Vetëm 4 ditë na ndajnë nga dita e madhe e korçarëve dhe e shqiptarëve. 25 prilli i ndryshimit! 25 prilli i fitores do të jetë fitorja e çdo shqiptari do të jetë fitoja e qytetarisë, do të jetë fitorja e Korçës, fitorja më e thellë në historinë e Shqipërisë. Sepse vëllezër dhe motra 8 vite të vështira kanë lënë vragat më të thella në trupin e Korçës dhe të Shqipërisë tonë kjo perlë e qytetarisë, ky djep i arsimit, i dijes, i kulturës, i artit, i punës. Ky vend që ka lindur burra e gra që na bëjnë krenar ndër shekuj, 8 vite me radhë është përdorur dhe keqpërdorur, shpërdoruar sikur të ishte oborri i lodrave të një njeriu dhe një grushti njerëzish të cilët janë pasuruar te fëmijët e korçarëve, vuanin për bukë, një grusht njerëzish të babëzitur për të grabitur gjithçka teksa rinia korçare largohej në emigracion. 8 vite dështime, 8 vite ngecje në vend, 8 vite izolim, nuk mbaruan as rrugën që e gjetën gati me projekt e financim Qukës- Qaf Plloç, e bredh tani 4 ditët e fundit fshat më fshat për të premtuar aeroporte.
Janë ditët e fundit sepse të dielën ia kthejmë Korçën korçarëve, ia kthejmë Shqipërinë shqiptarëve. Këto vite lëngate kanë shkaktuar vuajtje të pafundme. Ato kanë qenë sfida të mëdha për familjet shqiptare e në veçanti për nënat tona, për motrat tona, bashkëshortet, gratë, vajzat tona dhe rininë të cilët kanë ndierë në palcë dhimbjen e largimit të bijve tanë më të mirë në emigracion, të cilat kanë vuajtur papunësinë, të cilat kanë vuajtur pamundësinë e shkollimit dhe arsimit të fëmijëve të tyre e më pas të punësimit të tyre me dinjitet. E pra, pas tetë vitesh dështime, tetë vitesh gënjeshtra e keqja përsëri merr guximin të trokasë në dyert, në portat fisnike të Korçës dhe të korçarëve. Ju them sot, Korça e ka marrë vendimin. Korça ia ka mbyllur derën së keqes. Korça e ka hapur zemrën për ndryshimin që vulosim të dielën duke votuar numrin 9. Duke votuar numrin 9. Duke votuar numrin 9. 9 për fëmijët korçarë, dritën e syrit të prindërve të tyre. 9 për rininë e mrekullueshme të Korçës që do të bënte krenarë çdo qytet në Evropë, çdo qytet në botë. 9 për nënat tona që t'i fshijnë lotët e dhimbjeve e t’ju kthejmë gëzimin në sy bashkë me punësimin, mirëqenien, dinjitetin. 9 për pensionistët shqiptarë të cilët në tetë vite janë më të papaguarit e Ballkanit ndërkohë që qeveritarët u zhytën në luksin më të pa parë”, u shpreh Basha. (A2 Televizion)