Basha: Sovranizmi predikohet nga ata që janë shpallur “non grata” dhe ata që presin të shpallen

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2021, 13:54 | Politikë
Basha: Sovranizmi predikohet nga ata që janë shpallur “non

Kreu demokrat, Lulzim Basha, ka shigjetuar edhe ata që po përdorin sovranzimin, duke theksuar se kjo po predikohet për të zhvlerësuar shpalljet non grata dhe politikën amerikane. Sipas tij, ky është synimi i atyre që janë shpallur non grata dhe atyre që presin të shpallen non grata.

“Shumë po spekulohet këto kohë me sovranizmin, duke riciklikuar koncepte enveriste dhe populiste, të cilat shqiptarët i kanë vuajtur në kurriz si asnjë popull tjetër, dhe e dinë mirë që për ne sovranizëm përkthehet në vetmi, izolim dhe varfëri. Sovranizmi i këtyre zotërinjve, nuk mund të jetë ai që ishte në Shqipërinë e mbyllur. Por pika ku takohen këta me të shkuarën komuniste është një: Përdorimi i sovranizmit për pushtetin e tyre personal, duke u dhënë partnerëve mesazhin “na lini në punën  tonë” dhe duke shpresuar se kështu mund të manipulojnë me ndjenjat atdhetare të shqiptarëve që Shqipërinë e kanë mbi gjithçka. Por demokratët dhe shqiptarët e dinë mirë se Shqipëria dhe Kosova janë të pavarura dhe sovrane, brenda familjes euroatlantike. Sovranizmi që po predikohet këto kohë, është në fakt mburoja për zullumet e atyre, që kanë për qëllim të zhvlerësojnë shpalljet non grata, politikën amerikane, që tani është politika e gjithë vendeve të NATO-s kundër korrupsionit, minimit të demokracisë dhe pandëshkueshmërisë. Ky është synimi i atyre që janë shpallur non grata dhe atyre që presin të shpallen non grata”.

Basha theksoi se Partia Demokratike është e vendosur për shkërmoqjen e trekëndëshit të Bermudës.

“I ashtuquajturi sovranizëm i kastës 30-vjeçare, i mbështetur fuqishëm nga oligarkët dhe mediat e tyre, është kundër këtij roli të ndërkombëtarëve sepse ata duan të jenë rehat, të shijojnë siç kanë shijuar, të pasurohen me korrupsion siç janë pasuruar, të mbajnë në këmbë sundimin e tyre në kurriz të shqiptarëve që vetëm varfërohen. Demokratët, ashtu si shumica dërmuese e popullit shqiptar, e duan dhe presin një rol edhe më aktiv të SHBA-së e partnerëve europianë kundër korrupsionit, që është plaga më e madhe sot për vendin. Partia Demokratike është e vendosur në shkërmoqjen e trekëndëshit të Bermudës dhe prodhimit të saj të fundit politik, regjimit të Edi Ramës përmes masakrës zgjedhore”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos