Kuvendi i PD, Basha: Jemi mbledhur për të vërtetat që vetëm kemi belbëzuar. Të provojmë që jemi parti e pastër në përbërje

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2021, 13:18 | Politikë
Kuvendi i PD, Basha: Jemi mbledhur për të vërtetat që

“Nuk jemi mbledhur për t’i rrahur shpatullat njëri-tjetrit dhe kryetarit, por për të thënë të vërtetat që kemi kohë pa i shqiptuar, por vetëm i kemi belbëzuar”. Kështu e nisi fjalën e tij, kryetari demokrat, Lulzim Basha, në Kuvendin e thirrur nga ai me moton “Zgjedhim të ardhmen”, ku theksoi se do të merren vendimet që presin demokratët dhe Shqipëria.

“Duhet durim e mirëkuptim edhe për ata që kanë pasur shumë për të thënë, por nuk u është dhënë vendi. Do të marrim vendimet që presin demokratët, Shqipëria dhe kombi shqiptar. Nuk jemi mbledhur për t'i rrahur shpatullat njëri-tjetri e kryetarit, por për të thënë të vërteta që kemi kohë pa i shqiptuar, por vetëm i kemi belbëzuar. Disa mund të mërziten prej tyre, por sot jemi mbledhur në emër të së vërtetës se është e vetmja rrugë për çlirimin e demokracisë. Zgjedhim të ardhmen, është motoja e kuvendit të 18 dhjetorit. Nuk është një slogan, por një qëndrim politik që ftohen përfaqësuesit e zgjedhur. Para se të zgjedhim dhe vendosim këtë kuvend, dua t’u them gjithë demokratëve se thelbi i asaj që zgjedhim sot, do të jetë përcaktues për Shqipërinë e së nesërmes”.

Duke përsëritur herë pas here se si do të jetë PD-ja sot do të jetë Shqipëria nesër, kreu demokrat theksoi se Partia Demokratike do të jetë më e pastra në Shqipëri në përbërje të saj, duke përjashtuar ata që kanë lidhje me diktaturën, krimin dhe korrupsionin.

“Si do të jetë PD-ja sot, do të jetë Shqipëria nesër. Ky është akti i guximshëm, duhet të provojmë sot se ç’do Shqipëria, do t’ua provojmë sot që do jemi partia më e pastër në Shqipëri në përbërje të saj duke mos lejuar në radhët tona njerëz që turpërojnë shoqërinë shqiptare, duhet të biem dakord sot për këtë standard. Nuk do lejojmë njerëz në struktura, njerëz që kanë lidhje me diktaturën komuniste, nuk do të gjejë kurrë asnjë avokat, por asnjë personazh që ka lidhje me atë regjim. Nuk do të lejojmë në strukturat e PD-së njerëz të inkriminuar në çfarëdo veprimtarie kriminale, ndaj qenieve njerëzore.  Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD-së njerëz që cenojnë orientimin perëndimor të Shqipërisë apo destabilizim të rajonit dhe pasiguri për të ardhmen e Shqipërisë, PD-ja duhet të jetë garancia e shqiptarëve. Nuk do të lejojmë njerëz apo prirje që cenojnë lirinë e votës. Kjo do të jetë garanci për një Shqipëri të lirë që do të votojë, zgjedhë dhe përfaqësohet me dinjitet. Si do të jetë PD-ja sot, do të jetë Shqipëria nesër. Nuk do të lejojmë lidhje të politikës me biznesin apo me krimin, apo me organizata që përpiqen të sfidojnë demokracinë në emër të sovranizmit”.

Sipas Bashës, sfida e PD-së mbetet kthimi i besimit të shqiptarëve dhe për t ‘i bindur se është e vetmja parti që i realizon dhe jo vetëm i thotë.

“Kjo është një sfidë e madhe, por ne do të rritemi me këtë besim se vetëm kështu shqiptarët mund dhe duhet të na besojnë, kjo është sfida jonë. Si do të jetë PD-ja sot, do të jetë Shqipëria nesër. Kjo nuk është një histori e re e PD-së. Ne jemi partia që kemi propozuar dekriminalizimin e politikës dhe vetingun për politikanët. Kemi përpara një sfidë të re që të bindim shqiptarë që jemi partia që i bën këto gjëra, jo vetëm i thonë. Të lëmë jashtë ata që duan të sfidojnë SHBA -në për lidhje me krimin, duhet të ofrojmë njerëz si model përfaqësimi dhe program për mirëqenie ekonomike. Shqipëria vuan nga kapja e shtetit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos