
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar të kësaj partie, deklaroi se me një person “non grata” nuk mund të kthehesh në pushtet.
“Fitorja nuk mund të vijë kurrë duke pasur një “non grata” në radhët tona. Ajo që ka ndodhur pas 9 shtatorit po na ndryshon dhe ne sot zgjedhim që të na ndryshojë për mirë”, u shpreh Basha.
“Është e vështirë të shpjegohet me fjalë kjo çështje, përgjegjësitë që lindin në raste të tilla. Në rastin tonë, mençuria për të njohur diferencën mes gjërave që duhet të pranojmë dhe atyre që mund të ndryshojmë, ishte fare e qartë. Përballë historisë së partisë sonë, rruga e vetme ishte mbrojtja e PD-së për një të nesërme më të mirë”, shtoi kreu demokrat.
Basha theksoi se kuvendi i sotëm i Partisë Demokratike duhet të afirmojë proamerikanizmin e saj: “Rreth partisë sonë kanë ndodhur akte që nuk kishin ndodhur më parë, që këtij Kuvendi i japin një status tjetër. Ky Kuvend është dhe duhet të jetë Kuvend i afirmimit të proamerikanizmit, pas një periudhe të gjatë kundërvëniesh me aleatin tonë strategjik”.
“Pas shpalljes së Berishës non grata, jemi përballur me një fushatë të pashembullt, në kufijtë e përplasjes civile, me metoda nga më të ultat të një grupi të vogël, por zhurmëmadh. Më takonte mua të kthehesha në rrufepritës së akuzave që vërshojnë si lumë. Unë i kam pranuar këto rrufe dhe i pranoj me lehtësinë më të madhe sepse e di që nuk e bëj për veten time, por për Partinë Demokratike dhe në emër të demokratëve. E vërteta është shumë e thjeshtë: drama e Berishës duhej shuar duke krijuar një dramë mbi demokratët. Duke dëmtuar PD-në. Por, unë nuk mund ta pranoja këtë sepse PD-ja nuk është pronë e askujt, por pasuri e kombit”, deklaroi Basha. (A2 Televizion)