
Banorë në Golimbasit dhe Sevasterit, pjesë e bashkisë së Selenicës kanë protestuar në lidhje me krijimin e një grope për hedhjen e mbeturinave urbane të bashkisë së Selenicës, në afërsi të fshatrave të tyre.
Ata shprehen se vendi ku është bërë gropa, është i papërshtatshëm për depozitimin e mbeturinave pasi ndodhet pranë përroit, fushave me tokë bujqësore si dhe pranë shtratit të lumit Vjosa, që u shpall edhe Park Kombëtar.
Përveç ndotjes së tokës dhe ujërave, një pjesë e këtyre mbeturinave kanë filluar t’i djegin duke ndotur edhe ajrin.
Banorët janë shprehur se nëse bashkia nuk reagon, atëherë ata do të ndalojnë me forcë mjetet dhe nuk do të lejojnë hedhjen e mbeturinave pranë fshatit të tyre.
Bashkia e Selenicës është përgjegjëse për mbledhjen dhe depozitimin e mbeturinave për 6 njësi administrative. (A2 Televizion)