BDI nis negociatat pas zgjedhjeve, partitë në Maqedoninë e Veriut kanë pretendime për rezultatin

Nga A2 CNN
17 Korrik 2020, 13:11 | Ballkani
BDI nis negociatat pas zgjedhjeve, partitë në Maqedoninë e Veriut

Komisioni Shtetëror Zgjedhor në Maqedoninë e Veriut ka publikuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme të 15 korrikut.

Lidhja Socialdemokrate e Zoran Zaev konfirmohet fituese me 46 mandate, më pas renditet opozita e VMRO-DPMNE e Hristian Mickovski me 44 deputetë.

Nga partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim renditet forcë e parë me 15 vende në parlamentin me 120 deputetë.

Kryetari i saj, Ali Ahmeti, ka nisur menjëherë bisedimet me partitë e tjera shqiptare për mundësinë e një koalicioni pas zgjedhor. “Bashkë jemi më të fortë”, shkruan kreu i BDI.

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë siguruar 12 vende dhe në fund Partia Demokratike Shqiptare fitoi 1 deputet. Ndërkohë, dy partitë politike kryesore maqedonase kanë pretendime për rezultatin e zgjedhjeve.

Kjo erdhi për shkak të një sulmi kibernetik që ndodhi përpara përfundimit të procesit të numërimit. LSDM kërkon një rishikim të rezultatit pasi pretendon se zotëron një diferencë prej 3 deputetësh ndaj opozitës. Ndërsa, VMRO-DPMNE kërkon që të marrë të drejtën për të formuar qeverinë e re pasi thekson se ka marrë më shumë vota se LSDM, e cila hyri në zgjedhje në koalicion me partinë shqiptare BESA.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos