
Tërmeti i 26 nëntorit shkatërroi jo pak trashëgiminë kulturore në vendin tonë, por 11 projekte janë prezantuar në zonën arkeologjike të Durrësit dhe kryefjala ishte rijetëzimi i këtyre aseteve të kulturës të prekura nga lëkundja sizmike.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e pranishme në ceremoninë e prezantimit të projekteve deklaroi se përgjatë këtyre viteve të vështira të rimëkëmbjes pas tërmetit, BE me programe të saj ka qenë një ndihmë e madhe për Shqipërinë dhe për trashëgiminë e pasur kulturore të saj. Ndërsa ndau lajmin se 590 mijë dollarë i dedikohen trashëgimisë kulturore.
Ndërsa shefi i Bashkëpunimit të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Hubert Perr, tregoi se programi EU4Culture sot po shërben jo vetëm për rehabilitimin e siteve arkeologjike të Shqipërisë, por edhe për të kthyer ato në asete të rëndësishme të turizmit kulturor.
“Ky program na çon pas në kohë, në një ngjarje tragjike të 2 viteve e gjysmë më parë, te tërmeti. Ne mblodhëm 40 milionë euro grante nga Bashkimi Evropian jo vetëm për të rindërtuar dhe rijetësuar disa prej këtyre siteve arkeologjike të mrekullueshme, por për të shkuar përtej. Duhet ta përdorim këtë investim si një mundësi për të shkuar më tej, për t’i bërë këto site tërheqëse për vizitorët, por edhe komunitetet lokale”, tha Perr.
Kjo ishte thirrja e parë për grante dhe pritet të pasohet në të ardhmen nga të tjera projekte që do të financohen nga BE. (A2 Televizion)