Bëhet zyrtare, Armando Broja huazohet te skuadra e Premier League

Nga A2 CNN
10 Gusht 2021, 11:27 | Futboll
Bëhet zyrtare, Armando Broja huazohet te skuadra e Premier League

Armando Broja do të luajë sezonin e tij të parë në Premier League. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare është transferuar te skuadra e Southampton, pasi më herët zgjati edhe kontratën me Chelsea-n.

Pas një sezoni të mirë në Holandë në radhët e Vitesse, ku arriti të realizojë 11 gola, Broja zhvilloi fazën përgatitore me kampionët e Euros, me të cilët realizoi edhe 2 gola në 3 ndeshje. Kjo paraqitje e 19-vjeçarit shqiptar “detyroi” drejtuesit e “Bluve të Londrës” të rinovonin kontratën, por jo ta mbanin në ekip për sezonin e ri.

“Jam shumë i lumtur që bëhem pjesë e Southampton. Është një shans i mirë që të tregojë aftësitë e mia. Natyrisht që po flasim për një prej skuadrave të mira në Premier League. Është një klub me histori dhe luan në kampionatin më të fortë në botë. Do të jetë një eksperiencë me vlera për një të ri si unë”, ishin fjalët e para të Brojës si lojtar i Southampton.

Për Armando Brojën pati oferta edhe nga Udinese në Serie A apo Anderlecht nga Belgjika, por në fund shqiptari mbeti në Premier League, ku ka mundësinë e artë të tregojë potencialin e tij, që më pas të rikthehet me skuadrën e Tuchel. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos