"Pati fatin e Ramiz Alisë", Berisha: Demokratët vendosën sot largimin e “peng Bashës”

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2021, 21:02 | Politikë
"Pati fatin e Ramiz Alisë", Berisha: Demokratët

Ish-kryeministri Sali Berisha, sapo mbërriti në selinë e Partisë Demokratike, foli për mediat, duke deklaruar se “44 000 demokratë vendosën sot, me votën e tyre, largimin e “peng Bashës”.

“Ky ishte votimi më i shkëlqyer, që shkruan një kapitull të ri në historinë e revolucionit demokratik. Ju e shikoni që ky revolucion nuk ka të ndaluar”, u shpreh Berisha.

Sipas Albana Vokshit, kryetarja e komisionit të referendumit që u realizua në degët e Partisë Demokratike, janë 43 385 vota pro shkarkimit të Lulzim Bashës nga detyra e kreut të PD-së.

"Pati fatin e Ramiz Alisë, historia përsëritet", theksoi Berisha për Bashën.

https://a2news.com/2021/12/18/berisha-per-a2-cnn-44-000-anetare-votuan-ne-referendum-sot-nis-nje-etape-e-re/

“Jeni dëshmitarë të përpjekjeve të turpshme të narko-shtetit kundër këtij akti madhor në historinë e pluralizmit. Mjafton t’ju rikujtoj paraqitjen me orë të tëra në studiot televizive të pengmarrësit në ndihmë të pengut të tij. Por, asgjë nuk i ndal njerëzit e lirë në realizimin e qëllimeve të tyre”, shtoi Berisha.

Më tej, Berisha i sugjeroi deputetëve demokratë që të marrin "listën e plotë të anëtarësisë që ka votuar dhe të ballafaqojnë veten me përgjegjësitë që ka ndaj anëtarësisë".

"U them këtyre zotërinjve që PD-ja kaloi krizën më të thellë, mos të sillen si njerëz pa vizion politik. Deputeti është i detyruar që të gjykojë politikisht, jo si zyrtar. Mos të bëhen instrumentë të një skenari të turpshëm. Referendumi është apel për ndërgjegjen e tyre politike. Ftoj edhe kryetarët e degëve të marrin procesverbalet e votimit të anëtarësisë së tyre dhe të heqin dorë nga skenari që nuk do të pengojë dot kurrë revolucionin", shtoi Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos