
Sali Berisha, në një prononcim ekskluziv për A2 CNN, para konferencës për shtyp në selinë e Partisë Demokratike, deklaroi se “referendumi i sotëm shënon një etapë të re”.
“Sot, 44 000 anëtarë të PD-së firmosën me votën e tyre referendumin e parë të lirisë së forcave politike në vendin tonë. Kjo çliron energji të jashtëzakonshme në etapat e tjera të revolucionit demokratik”, deklaroi Berisha.
Ka përfunduar votimi në të gjitha degët e Partisë Demokratike në rrethe, ku anëtarët e PD u thirrën të ratifikonin vendimin e marrë një javë më parë nga kuvendi kombëtar për të shkarkuar Lulzim Bashën si kryetar.
Ndërkohë që në të gjitha degët thuajse është mbyllur edhe procesi i numërimit, Sali Berisha ka paralajmëruar një konferencë për mediat në selinë e PD në orën 20:00.
Në seli ndodhet edhe Basha, pasi po zhvillon një mbledhje të kryesisë së partisë, ku do të diskutohet për atë që do të propozohet në mbledhjen e paralajmëruar për nesër të këshillit kombëtar të PD. (A2 Televizion)