Basha: Ka vetëm një PD, të tjerat janë përpjekje për t’i kthyer demokratët mish për top

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2021, 18:36 | Politikë
Basha: Ka vetëm një PD, të tjerat janë përpjekje

Lulzim Basha shkoi në selinë e PD pas mbylljes së kuvendit kombëtar të thërritur nga kryesia e partisë, në përfundim të të cilit, u mor vendimi që të përjashtohen nga hierarkia e partisë ata persona të shpallur “non grata” dhe që kanë pasur poste drejtuese gjatë regjimit komunist.

Duke folur për gazetarët, Basha e hodhi poshtë pretendimet e Sali Berishës dhe mbështetësve të tij të cilët thonë se e kanë shkarkuar Bashën më 11 dhjetor, ndërsa këtë të shtunë organizuan në të gjithë vendin një referendum për të ratifikuar vendimin e shkarkimit të Bashës.

“Nuk ka referendum, ka vetëm disa anëtarë të PD të cilëve u bëj thirrje t’i bashkohen vendimeve të institucioneve. PD ka pasur një aktivitet, rezultati është shpallur. Ka një parti Demokratike, me një kuvend kombëtar. Të gjitha të tjerat janë përpjekje personale të një njeriu për t’i kthyer demokratët mish për top”, tha Basha.

Gjatë fjalës së tij në kuvendin e 18 dhjetorit Lulzim Basha e cilësoi atë si shkëputje nga e kaluara. Në një fjalim 60-minutësh, Basha i kërkoi demokratëve të mbështesë linjën e tij e jo të Berishës, duke parashtruar si argument kryesor ambicien e demokratëve, rikthimin në pushtet. “Fitorja nuk mund të vij kurrë duke pasur një “non grata” në radhët tona dhe as duke nënshtruar dhe kthyer gjithë partinë në “non grata” për fatin e një personi”, tha Basha.

Basha pranoi se ai është pjesë e fajit duke pretenduar se në tetë vjet ka pasur një dualizëm në drejtimin e PD-së ndërmjet tij dhe Berishës. PD-ja e re e Bashës nis duke kthyer paqen me Amerikën. Duke përdorur një citim të Sali Berishës, Basha shënoi një tjetër ndarje me filozofinë e tranzicionit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos