Berisha e Meta, bashkë në Gramsh për kandidatin e koalicionit  

Nga A2 CNN
17 Prill 2023, 22:37 | Politikë
Berisha e Meta, bashkë në Gramsh për kandidatin e koalicionit

Prezantimin e kandidatit në Gramsh, Sali Berisha e shfrytëzoi për të akuzuar kundërshtarët socialistë se po kryejnë një aferë korruptive me nismën për mbjelljen e pemëve. Krahas kësaj, Berisha i sfidoi hapur kandidatët e PS-së në debate publike me ato të Rithemelimit. Një ftesë e tillë nuk mungoi as për vetë Edi Ramën.

Nisma e socialistëve për të mbjellur pemë në vend të mitingjeve elektorale u cilësua si një aferë korruptive nga Sali Berisha. Gjatë prezantimit të kandidatit për Bashkinë e Gramisht, Hasim Çekrezi, Berisha nuk ngurroi të ftonte në debat jo vetëm kandidatët e PS-së, por edhe vetë Edi Ramën.

“I them Edi Ramës hajde po ta mbajti, dalim në studio, t’ia numëroj tenderat e familjarëve të tij, le të m’i numërojë të miat. Hajde, nxirri! Nuk kam asnjë”.

Ilir Meta kishte vajtur të mbështeste personalisht kandidatin e koalicionit Bashkë Fitojmë në Gramsh, por mendjen e kishte tek gara elektorale e Tiranës: “Ju e dini shumë mirë se si është keqqeverisur Gramshi në këto 4 vite. Por, unë e di shumë mirë se si është keqqeverisur Tirana. Asnjë nuk e di në Tiranë se kush ka qenë kryetari apo kryetarja e Këshillit të Bashkisë në 4 vjet. Mbi 1 miliard euro taksa janë shpërdoruar në errësirë të plotë. Dhe kur kjo ka ndodhur në Tiranë, ju e dini shumë mirë çfarë ka ndodhur në Gramsh”.  

Gara për Gramshin është ndërmjet dy kandidatëve, pasi demokratët e Alibeajt nuk paraqitën asnjë kandidaturë për këtë bashki.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos