Berisha komenton deklaratat e ashpra të Metës: Nuk po bën fushatë, por po denoncon shkeljet e Kushtetutës

Nga A2 CNN
16 Prill 2021, 13:46 | Politikë
Berisha komenton deklaratat e ashpra të Metës: Nuk po bën

Ish-kryeministri Sali Berisha, në një lidhje direkte me studion e “Ditari” në A2, e konsideroi si problematik angazhimin total të shtetit në fushatë, por shtoi se është i bindur që Shqipëria po përjeton një agim të ri.

“Unë shikoj që Shqipëria mbarë është mbuluar nga tisi i fitores, po përjeton një agim të ri. Në Kosovë ia besuan politikën një gjenerate të re dhe kjo gjë po ndodh edhe në Shqipëri. Humbësi i madh (Edi Rama) po shkel çdo parim të zgjedhjeve të lira, por asgjë nuk ndal dot uraganin”, tha Berisha.

Ish-kryeministri shtoi për Ramën: “8 vite më parë fitoi zgjedhjet dhe vijoi sikur ishte në opozitë dhe isha unë ende kryeministri. Te Lulzim Basha ai sheh varrmihësin politik. Basha po e varros përfundimisht dhe thotë se ai nuk ekziston, paçka se nëse i kthehemi fushatës, bën vetëm imitime vulgare të fushatës së Bashës”.

Në lidhje me deklaratat e Metës, Berisha u shpreh se “Presidenti po mbron Kushtetutën”.

“Presidenti është i detyruar që ta mbrojë Kushtetutën, nuk mund të shmangë dhunimet flagrante të përditshme të saj. Ai nuk po bën fushatë, por po denoncon thyerjen e parimeve dhe normave të zgjedhjeve të lira. Është luftarak në mbrojtje të Kushtetutës, pasi duhet pranuar që kur të gjitha palët janë në fushëbetejë, ligji dhunohet nga qeveria dhe kjo e lëndon Presidentin, i cili ka detyrë mbrojtjen e Kushtetutës”, shpjegoi Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos