
Pas presidentëve, klubeve elitare dhe futbollistëve të Kategorisë Superiore, “betejës” së futbollit me qeverinë, për të mundësuar lehtësira fiskale, që do të ndihmonin zhvillimin e sportit, i shtohen edhe futbollistët e Kombëtares.
I pari që ka dhënë mesazh pro kërkesave të Ligës Profesioniste është sulmuesi Bekim Balaj, një prej heronjve të Shqipërisë në kualifikimin historik në Europianin e vitit 2016.
“Futbollin e kemi krenari kombëtare. Tani më shumë se kurrë, duhet t’i gjendemi pranë. I bëj thirrje qeverisë që t'i hedhë sytë më shumë nga futbolli”, deklaron në një video sulmuesi kuqezi.
Mes lojtarëve të kombëtares që u solidarizuan me Ligën, madje duke lexuar publikisht edhe kërkesat për qeverinë ishte edhe portieri Alban Hoxha, që në këtë rast e mbajti qëndrimin si kapiten i Partizanit.
Shqipëria është i vetmi shtet europian që ka mbetur pa futboll. Në një periudhë kur frika e krijuar nga pandemia koronavirus është rritur dhe mes pasigurisë, nëse ky sezon do të arrijë të zhvillohet normalisht, bojkoti i klubeve deri në përmbushjen e kërkesave që ka futbolli për qeverinë ka bërë që të anulohen dy javët e para të kampionatit. (A2 Televizion)