Betimi para noterit, Balla nuk pranon ta komentojë para mediave

Nga A2 CNN
14 Nëntor 2019, 12:44 | Politikë

Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla, nuk pranoi të komentojë përpara gazetarëve betimin në një zyrë noteriale të anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsi.

“Nuk dua ta komentoj këtë çështje këtu, do të diskutohet në Konferencën e Kryetarëve. Mendoj se në këtë kontekst të krijuar duhet një qëndrim institucional nga ana e Kuvendit si institucioni bazë dhe themelor i funksionimit të demokracisë”, tha Balla.

A2 disponon dokumentacionin noterial të firmosur nga noterja Miranda Xhemalçe, e cila garanton se Arta Vorpsi është betuar si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, përmes një nënshkrimi deklarues. Në këtë shkresë të firmosur prej saj, Arta Vorpsi deklaron se “në cilësinë e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, të emërtuar nga KED dhe të botuar në fletoren zyrtare, me vullnetin dhe gatishmërinë për të ushtruar menjëherë funksionin e gjyqtarit kushtetues dhe me dorën e vendosur mbi Kushtetutë, betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.

Ndërkohë burime nga mazhoranca i thanë A2 se procedura është rakorduar me partnerët ndërkombëtarë dhe mbështetet në një rekomandim të Komisionit të Venecias, që i cilëson betimet si akte të thjeshta ceremoniale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos