
Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi, dhe atë të Bujqësisë, Milva Ekonomi, dolën në një konferencë për shtyp ku bënë bilancin e përmbytjeve që përfshinë disa zona të vendit, ditët e fundit.
Kreu i qeverisë u shpreh se përmbytjet e këtij viti shkaktuan dëme më të vogla krahasuar me vite më parë, ndonëse kishte reshje më të mëdha, për shkak të punës së përditshme në sistemet e kullimit dhe reformës së kryer për Emergjencat Civile.
“E konsiderojmë të vlefshme këtë përmbledhje për të ndarë të dhënat, fakte, shifrat e një bilanci shumë pozitiv sipas nesh që është pasqyrë e kalimit me sukses të një testi sfidues. Kemi qenë të shqetësuar duke ndjekur parashikimet e motit dhe mbi bazën e të dhënave përgjithësisht të sakta në vite të IGJEUM. Ministri i Mbrojtjes ka ndarë me mua të dhënat progresive të situatës përpara dhe gjatë ditëve me reshje të dendura. Ministria e Bujqësisë ka pjesën që i takon në këtë bilanc.
Nuk bën lajm çfarë nuk ndodh, por qeveritë vlerësohen dhe për atë që nuk lejojnë të ndodhë. Bazuar në sasinë e reshjeve që jemi përballur këtë herë dhe bazuar në shifra krahasimore të sasive të reshjeve në momente të së shkuarës, ku reshje më të pakta kanë sjellë pasoja katastrofike, sjellim pasqyrën e një situate që lidhet me një punë të disa viteve për këtë ditë që lidhet me investimet e mëdha që janë bërë në sektorin e kullimit, lidhet me reformën e strukturës dhe varësisë së Emergjencave Civile dhe lidhet në tërësi të ngritjes në një lartësi tjetër të shtetit.
Situata ka qenë kritike nga Liqeni i Shkodrës deri në Vjosë dhe përballimi i saj ka qenë vërtetë për të marrë frymë të lehtësuar, por patjetër për të marrë mësime se çfarë mund të bëjmë më mirë në të ardhmen”, u shpreh Rama. (A2 Televizion)