
Më 6 mars sigla e Partisë Demokratike për herë të parë renditet e treta në një proces zgjedhor. Gara me Edi Ramën nuk u fitua, por mes demokratëve fitoi Sali Berisha, që arriti të mbajë Shkodrën djathtas.
Por përballja edhe me “besnikët” që i kërkuan dorëheqjen në grupin parlamentar dhe ndjesia e një lloj garancie për të qëndruar, nga streha që i ofruan disa prej kryetarëve të degëve, solli dy lëvizje: Lulzim Basha pranoi humbjen. Por nën rrogoz kishte nisur punën për të fituar kohë…
Nuk thirri kryesinë, por nisi qarkullimin me të njëjtat mbledhje. Por përballja e dytë në grup parlamentar ishte edhe më e fortë. Pas dy nënkryetarëve të dorëhequr të partisë, dy të tjerëve që i kërkuan “hap pas” iu bashkua edhe sekretari i përgjithshëm, Gazment Bardhi, i cili kërkoi tërheqjen e Lulzim Bashës dhe të Sali Berishës.
E teksa të gjithë po i pohonin këtë zgjidhje, dukshëm Basha po kërkon një tjetër rrugëdalje… Dorëheqja nuk gjen vend në fjalët e tij. “Grupi nuk ka kërkuar as koka turku, as justifikime”, thoshte Basha.
Është radha e takimit të dytë me kryetarët e degëve… në statut njihet si Kolegji i Kryetarëve. Ende pa folur ata mesazhet e Bashës që në fillim janë se ai nuk ka gabuar, fajin e ka Berisha dhe bashkimi i demokratëve, por përsëri pa asnjë ide.
Qershia mbi tortë është fjalia “për një diskutim me përgjegjësi në Kolegjin e kryetarëve”, i cili sipas Bashës, “mban peshën më të madhe”. E tillë ishte zbardhja që zyra e shtypit e Partisë Demokratike fjalës së kryetarit.
Por cila është hierarkia e peshës që na tregon statuti i Partisë Demokratike? Ajo nis me Kuvendin Kombëtar, si organi më i lartë vendimmarrës. Pas tij vjen Këshilli Kombëtar, i përbërë me anëtarë për shkak të funksionit dhe të zgjedhur nga Kuvendi Kombëtar. Këshilli zgjedh sekretarin e përgjithshëm, nënkryetarët e Partisë sekretarët e tjerë dhe një pjesë të kryesisë. E pas kësaj të fundit vijnë Kryetari, Sekretari i Përgjithshëm dhe Grupi Parlamentar.
Më tej statuti parashikon Kolegjin e Kryetarëve të Degëve. Pesha e tij shkon në nivelin këshillimor dhe ndihmës ndaj kryetarit.
Pas disfatës së 6 marsit ndihma që po i japin Lulzim Bashës drejtuesit e degëve, një pjesë e mirë e të cilëve të komanduar, jo të zgjedhur, është konfirmimi i tezave të tij për përgjegjësi të deputetëve dhe jo kryetarit, si dhe zgjidhje përmes largimit të Berishës, por jo Lulzim Bashës. (A2 Televizion)