Borxhi tatimor ka arritur vlerën e rreth 1 miliard eurove në fund të 2020-s. Sipas të dhënave të Përgjithshme të Tatimeve, gjatë vitit pandemik, ky tregues u rrit me 5.4 miliardë lekë, ekuivalent kjo me 5% rritje kundrejt 2019-s.
Borxheve të vjetra iu janë shtuar edhe detyrimet e reja, për shkak të krizës që goditi sipërmarrjen dhe kryesisht bizneset e vogla dhe të mesme që janë edhe më të brishta në drejtim të likuiditetit. Por më shumë sesa vlera e borxhit tatimor, shqetësues është struktura e tij.

Kjo pasi 68% të masës totale të borxhit e kanë subjektet pasive, që nuk kanë aktivitet. Sipas ekspertëve, kjo e bën thuajse të pamundur mbledhjen e këtyre detyrimeve.

Një tjetër problem në arkëtimin e këtyre detyrimeve është edhe mosha e borxhit. Sipas të dhënave të detajuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, 68% e stokut total të borxhit tatimor është me vjetërsi mbi 2 vjet.

Ekspertët shpjegojnë se pasi sa më e largët të jetë koha e krijimit të këtij borxhi tatimor, aq më e vështirë është mbledhja e tij. (A2 Televizion)