
Biznesi kërkon nga qeveria amnisti për borxhin tatimor të krijuar nga subjektet pasive. Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve shpjegon se bizneset që nuk kanë më aktivitet kanë krijuar 68% të totalit të stokut të borxhit, i cili nuk mund të mblidhet.
Sipas tij, kjo duhet të jetë një ndër ndërhyrjet që duhet të bëjë qeveria Rama 3 në shtator, aq më tepër që sipërmarrja ka muaj që e kërkon.
Përfaqësuesit e sipërmarrjes kërkojnë edhe rregullime ligjore me qëllim kompensimin e detyrimeve reciproke që tatimet dhe biznesi i kanë njëri tjetrit. Pasi sipas tyre, deri më tani aplikohen dy standarde.
Tatimet kërkojnë mbledhjen e detyrimeve dhe kur nuk paguhen, ato konsiderohen borxh. Ndërsa kjo nuk ndodh kur administrata nuk kthen në kohë TVSH-në.
Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve tregojnë se për vitin 2020, 23% e stokut të borxhit përbëhet nga TVSH-ja. Zëri i dytë ku biznesi ka detyrime të papaguara është tatim fitimi me 27% të totalit pasuar nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe tatimi mbi të ardhurat personale. (A2 Televizion)