
Sektori i Bujqësisë i cili zë 19% të PBB dhe ka 415 mijë të punësuar, ndërkohë që 40% e popullsisë jeton në fshat është diskutuar në studion e A2 Business, i parë nga këndvështrimi i ekspertëve.
Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar Agim Rrapaj pa mohuar përfitimet që sollën skemat kombëtare tha se futja e një instrumenti pozitiv siç ishte rimbursimi i Tvsh 6% dhe heqja e një tjetër instrumenti pozitiv siç është TVSH 20% për përpunuesit nuk është rruga e duhur.
“Fermerët kanë përfituar nga skemat kombëtare dhe shpresoj që në vijim të ketë më shumë përfitime. Te skema e naftës do e shoh te formalizmi i fermerëve dhe skema e tyre me nipt. Mbetet për t’u parë TVSH 6% që rimbursohen fermerët dhe 20% që duhet të depozitojnë përpunuesit. Ne shtuam një instrument pozitiv dhe hoqëm një instrument pozitiv. Kjo nuk është rruga që duhet ndjekur, por nuk duhet mohuar që u formalizuan 16 mijë fermerë brenda një muaji e gjysmë”.
Sipas Rrapajt, skemat kombëtare si IPARDi dhe ajo e naftës pavarësisht se janë të domosdoshme, nuk kanë qenë eficente sa përmenden. Ai thekson se paratë që jepen për bujqësinë nuk janë të mjaftueshme.
“Situata në terren është përmirësuar dhe unë dua të sqaroj se instrumentat si IPARDI dhe skema e naftës janë të domosdoshme dhe për mua nuk kanë qenë eficente sa përmenden. Asnjëherë paratë që jepen për bujqësinë nuk janë të mjaftueshme. Unë nuk di mundësitë e qeverisë, por di mundësitë që kanë fermerët për të disbursuar këto fonde që sa vijnë dhe rriten. Nëse skema mbështeti qendrat e grumbullimit ne kemi 247 qendra grumbullimi dhe kjo jo vetëm si rezultat i mbështetjes nga shteti por edhe financime private. Sot kemi 60 mijë nipte private”.
Por Rrapaj thekson se këto tregues nuk kanë lidhje me skemën e sigurimeve. Sipas tij kjo ka të bëjë me informalitetin.
“Skema e sigurimeve nuk ka lidhje me këto tregues , ajo ka lidhje me informalitetin, nuk ka lidhje me rritjen. Nuk është e vërtetë që eksporti është rritur vetëm në vlerë por edhe në sasi. Dua t’i përmend këto fakte që ne i kemi mundësitë për të disbursuar fonde”. (A2 Televizion)