Bum turistësh në qershor, 134 mijë vizita më shumë

Nga A2 CNN
23 Korrik 2019, 16:34 | Ekonomi

Rreth 134 mijë të huaj më shumë kanë hyrë në vendin tonë gjatë muajit qershor. Pas një fillimviti të ngadaltë, që duket se zbehu pritshmëritë për rritjen e turizmit, të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë për një bum vizitorësh me nisjen e sezonit veror.

Nga mbi 630 mijë hyrje të shtetasve të huaj në pikat kufitare të vendit, mbi 1/3 vijnë nga Kosova. Shqiptarët e Kosovës duket se kanë nisur më herët pushimet këtë vit, me 55% më shumë vizita.

Vendet e rajonit kanë kontribuar më tepër në këtë bum turistësh gjatë muajit Qershor, por në rritje janë edhe vizitorët nga Gjermania, Anglia, Italia, vendet nordike dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë, fenomeni i largimit të turistëve polakë vazhdon. Siç kishin paralajmëruar edhe tur operatorët, hyrjet nga ky grup ranë me rreth 7,4% për Qershorin. Si arsye për këtë largim jepet shtrenjtimi i çmimeve nga hotelet dhe paketat që ato ofrojnë. Në total për gjysmën e parë të vitit, në vendin tonë kanë hyrë 2,1 milionë turistë të huaj, ose 11,3% më shumë se në 2018-ën. Në rritje është edhe numri i shqiptarëve që udhëtojnë jashtë vendit, me 2,6 milionë vizita. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos