Burg për Dritan Zaganin, denoncoi Saimir Tahirin

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2018, 13:21 | Kronikë

Ish-oficerin e antidrogës që për herë të parë tregoi lidhjet e Saimir Tahirit me bandën e Habilajve, në Shqipëri e pret burgu. Fakti që një shtet si Zvicra i ka ofruar azil politik, fakti që prokuroria e Katanias i mban në burg trafikantët e drogës që ai denoncoi, nuk e pengoi gjykatën e Fierit të dënojë edhe Dritan Zaganin.

Ai u dënua për bashkëpunim pa autorizim me një oficer të Guardia di Finanza, të cilit, thotë gjykata, i jepte informacion përkundrejt pagesave në euro. Pra Zagani do të vuajë mbi 4 vite burg, për shkak se informoi partnerët për aktivitetin e trafikanteve te drogës, që në të njëjtën kohë janë të dënuar në Itali. Sipas akuzës, ish-oficeri i policisë kishte dëmtuar hetimet  duke vepruar për interesa private dhe për përfitime monetare nga policia italiane. Krahas këtij vendimi, Dritan Zagani është dënuar edhe me tre vite heqje lirie nga Gjykata e Vlorës për largim nga vendi i qëndrimit.

33-vjeçari nga Bushati i Shkodrës, ish-shef i Antidrogës në Fier u arrestua kohë më parë për dekonspirim të një aksioni policor pas një kërkese të Shërbimit për Çështje të Brendshme dhe Ankesave. Gjatë vlerësimit të masës së sigurisë Zagani u la me arrest shtëpie dhe më pas u largua drejt Italisë.

Reagimi i Zaganit

A2 News kërkoi një reagim nga ish-oficeri i Antidrogës së Fierit, Dritan Zagani, pas vendimit të gjykatës që e dënoi me 4 vite e gjysmë burg.

Zagani deklaroi se do ta çojë çështjen deri në Gjykatën e Strasburgut, por ai ende nuk është njohur me arsyetimin e gjykatës që e dënon atë me 4 vite e 5 muaj burg. Arsyetimi i plotë i vendimit nuk është bërë i njohur as për avokatin e tij ligjor, por gjithsesi pritet që vendimi të ankimohet në Apel.

As ish-ministri Tahiri nuk pranoi të japë një qëndrim në lidhje me dënimin e Zaganit, megjithëse ky e denoncoi i pari lidhjet e tij me Habilajt. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos