Bytyçi: Minishengeni, marrëveshje e përbashkët e Ramës dhe Vuçiçit për të bërë presion mbi Prishtinën

Nga A2 CNN
29 Qershor 2021, 22:28 | Kosova
Bytyçi: Minishengeni, marrëveshje e përbashkët e

Studiuesi Enver Bytyçi deklaroi në një lidhje direkte me studion e “Absolut 4” se “minishengeni është një marrëveshje e përbashkët e Ramës dhe Vuçiçit për të bërë presion mbi Prishtinën, që ajo të pranojë një zgjidhje të konfliktit me Serbinë, në favor të Serbisë”.

“Ky është minishengeni, asgjë më shumë, asgjë më pak”, shtoi Bytyçi.

Studiuesi komentoi edhe postimin e djeshëm në Twitter të Richard Grenell.

“Deklarata e Grenellit e ka ndihmuar opinionin shqiptar për të kuptuar se ai ka qenë një emisar i Beogradit në të gjitha iniciativat e tij. Dekonspirimi i tij ishte fitore e madhe e politikanëve shqiptarë, që nuk janë të implikuar në veprimtarinë antishqiptare. Beteja e Fushë-Kosovës është trajtuar me shumë kujdes gjithmonë nga aktorët ndërkombëtarë, ndërkohë që diplomati i njohur mban anë në këtë ngjarje që ka shkaktuar konflikte pa mbarim në rajonin tonë”, u shpreh Bytyçi.

Ndërsa politologu Gurakuç Kuçi nënvizoi: “Kosova dhe Shqipëria duhet të gjejnë modele bashkëpunimi dhe mos të sillemi siç kemi bërë deri tani, që jemi sjellë sikur jemi ne armiq me njëri-tjetrin dhe jo me Serbinë”.

Politologu Ilir Kalemaj e komentoi kështu minishengenin: “Brukseli ka heshtur në lidhje me minishengenin, por ka pasur deklarata të forta nga ana e Gjermanisë dhe SHBA-së sa i përket kufijve. Ata kanë qenë kundër çdo projekti për ndryshim kufijsh në rajon, që do të hapte kutinë e Pandorës. Nuk ka qenë serioze sjellja e Grenellit, madje edhe postimi i tij në Twitter është njësoj sikur t’i hedhësh benzinë zjarrit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos