Çelja e negociatave, Roth: Gjermania e angazhuar, por duhen plotësuar edhe pak kushte

Nga A2 CNN
8 Dhjetor 2020, 13:33 | Politikë
Çelja e negociatave, Roth: Gjermania e angazhuar, por duhen

Gjermania po angazhohet për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por duhet të plotësohen edhe disa kushte. Pasi Bashkimi Europian e hoqi çështjen e zgjerimit nga agjenda e samitit këtë javë, ministri gjerman për Europën, Mikael Roth, tha se çdo alternativë tjetër ndaj nisjes së negociatave do të ishte gabim i madh.

Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, tha se Gjermania po bën të gjitha përpjekjet për hapjen sa më të shpejtë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por, sipas tij, Shqipëria duhet të plotësojë edhe disa kushte.

"Ne, si drejtues të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, po bëjmë gjithçka që kemi në dorë, që sa më shpejt, të arrijmë unitet për organizimin e konferencave ndërqeveritare për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut, e pas plotësimit të pak kushteve të mbetura, edhe me Shqipërinë".

Roth, i cili merr pjesë në këshillimet përgatitore të samitit të Bashkimit Evropian, theksoi se çdo veprim tjetër, përveç çeljes së negociatave me këto dy vende, "do të ishte një gabim tepër i rëndë politik, që do të cenonte stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, e rrjedhimisht edhe sigurinë në Evropë". "Këtë duhet ta dinë të gjithë”, ishin fjalët e Roth.

Çështja e zgjerimit pritej të vihej në tryezën e samitit e liderëve europianë, të enjten dhe të premten, por në mungesë të një marrëveshjeje për heqjen e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, e gjithashtu mosplotësimit të të gjitha kushteve nga Shqipëria, çështja u hoq nga agjenda. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos