
Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim virtual me raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos dhe ambasadorin e Delegacionit të BE në Tiranë, Luigi Soreca.
Nga ajo që kreu i shtetit ka publikuar në Facebook, thuhet se e ka falënderuar raporteren për vëmendjen që i ka kushtuar në Projekt-Rezolutën për Shqipërinë zgjedhjeve të ardhshme, fenomenit të shpopullimit dhe cenimit të lirisë së medias në Shqipëri.
Sipas Metës, integrimi europian i Shqipërisë kalon vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe ndërtimit të shtetit ligjor me institucione të pavarura dhe funksionale.
Postimi i Metës
Kënaqësi të zhvilloja sot një bashkëbisedim të sinqertë e miqësor me Raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputeten Isabel Santos, dhe Ambasadorin e Delegacionit të BE në Tiranë, zotin Luigi Soreca.
Një falenderim i veçantë për zonjën Santos, për vëmendjen e posaçme që i ka kushtuar në Projekt Rezolutën për Shqipërinë zgjedhjeve të ardhshme, fenomenit të shpopullimit dhe cënimit të lirisë së medias në Shqipëri.
E sigurova se si President i Republikës do të vazhdoj të bëj çdo përpjekje për zbatimin e plotë të të gjitha kushteve, që lidhen me nisjen e negociatave të anëtarësimit.
Integrimi europian i Shqipërisë kalon vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe ndërtimit të shtetit ligjor me institucione të pavarura dhe funksionale. (A2 Televizion)