
Partia Demokratike nuk tërhiqet nga çështja “Becchetti”. Vendimin e mazhorancës për mosngritjen e komisionit hetimor, ajo e paditi në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar zhbllokimin e tij.
Partia Demokratike paditi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Parlamentit për të bllokuar ngritjen e komisionit hetimor për çështjen “Becchetti”. Sipas opozitarëve, shumica socialiste votoi kundër kërkesës së PD-së për të mbrojtur kryetarin e tyre.
“Këtë çështje Rama ka frikë ta hetojë sepse e di që është i dështuar, shkaktar përgjegjës për 120 milionë euro, arsyeja për të cilat komisioni hetimor po vonohet”, tha deputetja Grida Duma.
Për numrin dy të PD-së, Gazment Bardhi, hetimi parlamentar kërkohet për t’i vënë përgjegjësit e humbjes së 120 milionë eurove përballë përgjegjësive për pasojat financiare: “Këtu bëhet fjalë për një hetim parlamentar për të përcaktuar përgjegjësinë administrative për secilin prej zyrtarëve publikë dhe për t’i përballur ato me pasojat financiare që sjell ky vendim”.
Në seancën e fundit plenare, PS vendosi kundër komisionit hetimor nën argumentin se cenohen interesat e shtetit shqiptar. Argumenti i socialistëve pritet të përballet me shtatë gjyqtarët kushtetues, të cilët kanë tre muaj kohë për të vendosur për shqyritmin apo jo të padisë. (A2 Televizion)