
Shpëtim Idrizi e ka vendosur qëndrimin që do të mbajë ndaj parlamentit, ndonëse Partia Demokratike, në listat e së cilës mori mandatin, ende nuk e ka ndarë zyrtarisht mendjen.
“Padyshim, në shtator jemi në Parlament për të paraqitur iniciativa ligjore për çështjen çame. Do të rikthehet çështja çame në parlamentin e Shqipërisë, do të tentojë të thyejë heshtjen mbi çështjen çame”, tha Idrizi.
Në kuadër të aktiviteteve për “Javën Çame”, Idrizi shpjegoi se me kthimin në Parlament synon pikërisht rikthimin e vëmendjes te kauza primare e partisë së tij.
“Rikthimi i çështjes çame në parlament nëpërmjet deputetëve të PDIU do ta rikthejë vëmendjen. Të gjithë kanë heshtur për çështjen çame. Dua që t’i garantoj të gjithë që ne nuk e harrojmë Çamërinë, nuk i harrojmë miqtë dhe armiqtë e Shqipërisë. Të gjithë mund të lodhen, por ne do të lodhemi të fundit”.
Kreu i PDIU-së i bëri thirrje qytetarëve dhe opinionit publik të mos harrojnë Çamërinë. (A2 Televizion)