
Paralajmërimi për zgjedhjen e Këshillit të Ri Kombëtar në Partinë Demokratike kundërshtohet nga Bujar Nishani. Kreu aktual i këtij forumi të lartë drejtues thotë se forma që është parashikuar për procesin e analizës bie në kundërshtim me statutin e PD.
“Lulzim Basha nxitoi të bënte një maskaradë elektorale për karrigen e tij dhe tashmë zgjedhje antistatutore të parakohshme për institucionet drejtuese të Partisë! ”, u shpreh Nishani, kryetari i i Këshillit Kombëtar në PD.
Edhe pse pranon se përgjegjësia për humbjen në 25 prill nuk është vetëm e kryetarit përsëri ai thekson se Lulzim Basha është penguesi kryesor në ringritjen e PD.
“Përgjegjësia për këtë nuk është vetëm e Lulzim Bashës por më e para dhe më kryesorja është e tij. Por, Lulzim Basha sot po bllokon e pengon reflektimin, korigjimin dhe ndryshimin rrënjësor të PD, jo vetëm si një parti kryesore e sistemit tonë politik por më së shumti si alternativë qeverisëse në një demokraci funksionale.”
Zgjidhja e vetme për këtë ngërç në të cilin po kalon partia më e madhe në opozitë sipas Nishanit është ndryshimi i kursit të ndjekur deri tani duke zgjedhur një lider që është i aftë të fitojë jo vetëm besimin e dmeokratëve por të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Deklaratat e Nishanit vijnë jo vetëm pasi Lulzim Basha u rikonfirmua në krye të partisë, por ndërkohë futi në proces analize dhe zgjedhjesh dhe struktura të tjera në PD. (A2 Televizion)