Tritan Shehu: Rama kthehet te varianti ynë për detin. Vendimi i Hagës pranohet automatikisht nga palët

Nga A2 CNN
20 Tetor 2020, 19:55 | Politikë
Tritan Shehu: Rama kthehet te varianti ynë për detin. Vendimi i

Marrëveshje më të favorshme për Shqipërinë se ajo e 2009-ës nuk do të ketë. Kështu deklaron ish-ministri i Jashtëm Tritan Shehu, i cili akuzon kryeministrin Rama se refuzonte ta çonte në Hagë, ndërkohë që tani kthehet te varianti i Berishës, por nuk mban përgjegjësi për zvarritjen dhe dëmin e shkaktuar në gjithë këto vite.

Në studion e A2 CNN, Shehu theksoi se në Hagë shkohet kur dy vendet bien dakord për zgjidhjen e problemit dhe vendimi i kësaj gjykate pranohet me mirëkuptim dhe automatikisht nga palët. Dhe këtu ai solli shembujt e disa vendeve që kanë zgjidhur problemet përmes kësaj gjykate.

“Pasi shkatërroi marrëveshjen e 2009-ës që ishte marrëveshja më e mirë, nuk mund të realizohet marrëveshje tjetër më e mirë.  Nuk mban asnjë përgjegjësi për dëmin e shkaktuar në gjithë këto vite. Rama refuzonte ta çonte në Hagë.

Në Hagë çohet kur dy vendet bien dakord që t’ia lënë zgjidhjen e problemit. Më parë ka pas mes Francës e Italisë, Sllovenisë dhe Kroacisë, Sllovenisë e Italisë që zgjidhën problemet përmes kësaj gjykate dhe pranuan automatikisht vendimin”.

Shehu shpjegon se gjykata e Hagës e gjykon çështjen në themel dhe nuk ka lidhje me marrëveshjen e 2009-ës me Greqinë, apo vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese e dha vendimin për marrëveshjen në 2009, u rrëzua në histeri. Marrëveshje kaq të favorshme sa ajo nuk do të ketë më. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi dhe vendimi i saj është i patjetërsueshëm. Gjykata e Hagës nuk ka lidhje me marrëveshjen e 2009-ës dhe vendimin e Kushtetueses, por e gjykon çështjen në themel. Kur shkon në Hagë shkon me mirëkuptim dhe automatikisht pranohet”.

Ndërsa akuzoi Ramën se hodhi në erë marrëdhëniet me Greqinë, Shehu theksoi se do të jetë qeveria demokratike dhe parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit për të ndryshuar faqen me Greqinë. Sipas tij takimi më i rëndësishëm i ministrit grek në Tiranë, ishte me kreun demokrat, për të cilin tha se ishte takimi i së ardhmes.

“Rama shkatërroi marrëdhëniet me Greqinë në gjithë këto vite, hodhi në erë të gjithë këto marrëveshje dhe nuk mund të marrë përsipër të rregullojë marrëdhëniet me Greqinë në 6 muaj para zgjedhjeve. Do të jetë qeveria demokratike dhe parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit për të ndryshuar faqen me Greqinë dhe rregullimin e marrëdhënieve dhe jo vetëm me të, por edhe me rajonin.

Takimi më i rëndësishëm që pati ministri i jashtëm grek në Tiranë ishte me Bashën, se rama ëhstë në ikje, kurse Basha është kryeministri i ardhshëm. Është takimi i së ardhmes dhe hapave të së ardhmes”- theksoi Shehu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos