Çfarë do të ndryshojë për një vit për Shkodrën? Spahia flet për fokusin e tij dhe rivalët në garë

Nga A2 CNN
21 Shkurt 2022, 20:26 | Politikë
Çfarë do të ndryshojë për një vit për

Kandidati i Shtëpisë së Lirisë për Shkodrën, Bardh Spahia shpalosi në studion e Debatit me Alba Alishanin programin e tij për drejtimin e bashkisë së këtij qyteti. Edhe pse kjo është një fushatë atipike dhe mandati për të zgjedhurit e 6 marsit është më pak se një vjeçar, Spahia theksoi disa nga aspektet ku do të bëjë ndryshimin, pavarësisht se kjo bashki është qeverisur nga e djathta.

“Ne jemi fushatë atipike bëhet fjalë për një mandat për një mandat më pak se 1-vjeçar por serioziteti që po zhvilloj garën është se shoh një nevojë të jashtëzakonshme të qytetarëve shkodranë për të pasur zgjedhjen e duhur. Unë vij nga një proces primaresh që më jep një mbështetje dhe më ngarkon me peshën e besimit të qytetarëve shkodranë edhe pse është mandat i shkurtër, po perceptohet si zgjedhje me konotacion politik ku qytetarët përmes votës së lirë do të japin mesazhin e vlerësimit të lirisë e opozitarizmit të vërtetë dhe shpresoj të japin shembullin më të mirë. Është mirë që qytetarët të ndjejnë mbështetjen. Ka një sërë aspektesh ku ne duhet dhe do ta bëjmë ndryshimin”.

Dhe sipas tij zhvillimi ekonomik, turizmi, punësimi, infrastruktura dhe shqetësimet e problematikat e banorëve do të jenë fokusi në se zgjidhet kryetar.

“Shërbim i dedikuar për qytetarët e bashkisë sonë dhe shërbime të reja sa i takon këshillimit që është i braktisur në zyrat shtetërore dhe bashkia e Shkodrës do bëhet ndihmesë e madhe duke ndjekur shqetësimet e problematikat banorëve si regjistrimi i pronës, marrja e pensionit, shërbim shëndëtësor, furnizimi me energji e ndihmë sociale. Ka një mori problemesh ku qytetarët gjenden të vetëm dhe ne do tu garantojmë asistencën, ka edhe çështje te tjera të rëndësishme. Bashkia do të ketë synim angazhim e zhvillimit ekonomik, krijimi i vendeve të punës, rritje e të ardhurave për çdo familje, në investimin dhe ndërlidhjen strategjike urbanistike kulturore të qytetit duke i vënë strukturat bashkiake. Det-liqen-mal, i mbështetur te turizmi bujqësia dhe industria do bëjmë gjithçka për t’i shërbyer Shkodrës”.

Ai vlerëson punën e Voltana Ademit, por akuzat i ngre ndaj qeverisë Rama për mungesë të theksuar investimesh në këtë bashki.

“E gjithë bashkia Shkodër dhe popullsia e Shkodrës ka qenë një target për fat të keq i goditjes dhe               shënjestrës që qeverisjes së Ramës. Ka pasur abandonim të Bashkisë së Shkodrës, mungesë të theksuar të investimeve, zero investime, mungesë vëmendjeje. Edhe debati për gjykatën e apelit. Ka shkretim. Ka qenë në situatë të vështirë. Institucioni i Bashkisë Shkodër është qeverisur vetëm nga taksat e shkodranëve që janë taksat më të ulëta krahasuar me bashkitë e tjera dhe duke synuar fort investimet e huaja është arritur të bëhen disa punë të mira”.

I pyetur nga analisti Çipa sesi do të tejkalojë ngërçin pasi këto shtylla të programit të tij janë të varura nga pushteti qendror, Spahia thekson këmbënguljen me projekte konkrete ndaj qeverisë si edhe investime nga partnerë ndërkombëtarë.

“Nuk do të mungojë kërkesa e vazhdueshme dhe e bazuar në projekte konkrete ndaj qeverisjes vendore do jemi insistues për të siguruar sa më shumë investime nga qeverisja qendrore. Por nuk është vetëm kjo, do fokusohemi edhe te mundësitë e tjera të investimeve, mundësi me partnerët ndërkombëtarë, ku mund të bëhet shumë falë edhe lidhjeve të vyera e të fuqishme dhe eksperiencave të mia. Një rrugë alternative që ka funksionuar. Synimi im do jetë kthimi i disa aspekteve të rëndësishme të zhvillimit rajonal si turizmi. Do synoj kthimin e Shkodrës në markë rajonale për turizmin, mundësi ndihme për fermerët. Vëmendje të veçantë do të ketë rinia, sporti e aspekte të tjera të jetës shoqërore”.

Spahia i konsideron të pafavorshëm të dy kandidatë e tjerë në garën për Shkdorën dhe thotë se mbështetjen e gjen te primaret. Ndërsa kandidatin e PD-së e quan patericë të Ramës.

“Ne luftën e kemi me Ramën në këto zgjedhje. Më vjen keq që kemi edhe përfaqësuesin e dikujt që ka zgjedh të kthehet në patericë të Ramës në këto zgjedhje, duke i bërë shërbim Ramës. Unë kam besim absolut se shkodranët do ta vlerësojnë se kush është përfaqësues i opozitarizmit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos