
Zgjedhjet në Kosovë, fluks kthimesh në aeroportin “Adem Jashari”
Zgjedhjet në Kosovë mbahen të dielën dhe gjatë kësaj fushate elektorale, të pazakontë dhe të shkurtër partitë politike pjesëmarrëse në to i kanë bërë thirrje shtetasve që banojnë jashtë të kontribuojnë me votën e tyre. Pavarësisht se jemi në pandemi, aeroporti “Adem Jashari” i Prishtinës raporton për një fluks të shtuar linjash ajrore që pritet të fillojnë sot dhe përfundojnë të dielën e zgjedhjeve.
Kriza politike në Itali, lista Draghi kalon sot për votim në parlament
Pas një sërë takimesh të njëpasnjëshme dhe të gjata mbi kompozimin e kabinetit qeveritar, pas përkrahjes që mori për krijimin e organit ekzekutiv, sot, lista e kryeministrit të emëruar Mario Draghi kalon për votim në parlament. Qeveria e re pritet të ketë një mandat deri në përfundim të pandemisë ose mundësisht vitin e ardhshëm që përbën edhe fundin e mandatit të presidentit Sergio Mattarella. Me shumë gjasa kjo qeveri provizore, me bazë të gjerë, do të marrë përkrahje më lehtësisht se dy qeveritë e kompozuara nga ish-kryeministri Conte.
Koronavirusi, kancelarja Merkel apel për kujdes nga variantet e reja
Lajme të këqija për sa i takon pandemisë koronavirus. Variantet e reja që kanë nisur të qarkullojnë se fundmi në mbarë globin mund të shkatërrojnë sukseset e deritanishme dhe të kërkojnë punë nga fillimi. Kjo gjë do të përkthehej në një valë të tretë infektimesh tha kancelarja Angela Merkel, e cila duke vlerësuar punën e bërë nga qeveria deri më tani, kërkoi ndjesë që nuk bëri më tepër në lidhje me ndalimin e qarkullimit, çka do të frenonte në maksimum përhapjen e tij.
Trazirat në Kapitol, demokratët paraqesin provat kundër Trump
Në Senatin amerikan mbaroi mbrëmë bërja publike e të gjitha provave që zotërojnë demokratët se Donald Trump ishte nxitës i kryengritjeve në Kapitol. Sipas tyre, tanimë, nuk ka asnjë dyshim në lidhje me përfshirjen e tij në këtë proces. Në argumentet përmbledhëse, prokurori kryesor, ligjvënësi Jamie Raskin u tha 100 senatorëve që po luajnë rolin e jurisë se duhet të përdorin "logjikën e shëndoshë për ngjarjet në Kapitol". "Një parim bazë është se askush nuk duhet të nxisë dhunë" në demokracinë amerikane, tha Raskin. Sot, radhën e ka pala mbrojtëse të paraqesë provat e saj në lidhje me sa ndodhi më 6 janar.
Vaksinimi në SHBA, Biden kritikon Trump: Nuk e prisja situatën kaq keq
Për sa i takon vaksinës dhe procesit në SHBA, presidenti Joe Biden kritikoi mbrëmë planin e masave të paraardhësit të tij dhe premtoi një sasi tjetër prej 200 milionë dozash të reja. “Ndërsa shkencëtarët bënë punën e tyre në zbulimin e vaksinës në një kohë rekord, paraardhësi im nuk e bëri punën e tij për t’u përgatitur për sfidën masive të vaksinimit të qindra miliona amerikanëve”, tha Biden. Më tej, ai tha se nuk e priste ta gjente situatën kaq keq për sa i takon logjistikës, por edhe një herë i përmbahet zotimit të tij për të vaksinuar 100 milionë persona brenda 100 ditëve të tij në krye të Shtëpisë së Bardhë, gjë që mbështetet edhe nga ekspertët.
Bayern Munchen në “çatinë e botës”, Tigres pa “kthetra”
Bajerni i Mynihut është kampion bote. Pas sukseseve të njëpasnjëshme në Europë, gjigantët gjermanë arritën të fitojnë edhe Botërorin e Klubeve duke barazuar rekordin e Barcelonës që fitoi të gjashtë trofetë e mundshëm në sezonin 2009-2010. Bavarezët ia dolën me sukses përballë Tigres duke e mundur minimalisht 1-0 me një gol të Pavard.
Tuchel vijon rrugëtimin e fitoreve të Chelsea
Chelsea po bën mjaft mirë nën drejtimin e Tomas Tuchel. Që nga momenti që tekniku gjerman ka marrë drejtimin e skuadrës londineze, Chelsea numëron një barazim në debutimin e tij dhe më pas katër fitore me radhë. E fundit është ajo ndaj Barnsley, në FA Cup, fitore e cila i mundëson bluve të Londrës kualifikimin në çerekfinalet e Kupës. Abraham realizoi në minutën e 64 për Chelsea-n që fitoi minimalisht 1-0 dhe vijon ecurinë pozitive. (A2 Televizion)