
Sot në mbrëmje, Champions League rezervon dy duele të tjera që premtojnë spektakël dhe emocione deri në fund.
Juventus pret Villareal në Torino, për ndeshjen e kthimit të 1/8, ku çdo llogari mbetet e hapur. Sfida e parë përfundoi me rezultatin 1-1 dhe për këtë, shanset janë të barbarta, edhe pse tek italianët mund të ndikojë jo pak faktori fushë. Megjithatë, dhimbje koke ka për teknikun Massimiliano Allegri, i cili ka një lumë me mungesa përpara kësaj sfide.
Bonucci dhe Alex Sandro nuk ia kanë dalë të rikuperohen, ndërsa Chiellini, Dybala dhe Bernardeschi janë tre rikthime të rëndësishme. Nga ana tjetër, spanjollët vuajnë dëmtimin e Alvaro Morenos, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është në dispozicion. Villareal nuk po kalon një formë të mirë, pasi e sheh veten në vendin e 7 në La Liga dhe jashtë zonës Europë, për këtë kjo mbrëmje e Champions do të jetë vendimtare për ecurinë e sezonit.
Nga ana tjetër, kampionët në fuqi të Chelsea do të kërkojnë të lënë me një anë problemet brenda klubit dhe të marrin një biletë për në çerekfinale të Champions League. Pasi fituan 2-0 në ndeshjen e parë në Angli, “Blutë” e Londrës vijnë më të qetë në ndeshjen e kthimit përballë Lille, edhe pse me situatën e ndodhur në ditët e fundit nuk duket aspak e lehtë. Klubi ka kaluar nën kontrollin e qeverisë britanike, si pasojë e ngrirjes së aseteve të Roman Abramovich. Një vendim ky që mund të sjellë pasoja të rënda dhe tek klubi sa i takon shpenzimeve që ata mund të kryejnë.
Sipas mediave angleze, skuadra ka udhëtuar në Francë me autobus dhe jo me avion, kjo për të mos kaluar kuotat e shpenzimeve mujore. Sa do të zgjatë kjo situatë nuk dihet, ama siç deklaroi tekniku Thomas Tuchel, detyra e vetme e skuadrës është të kualifikohet më tej.
Chilwell dhe James nuk do të jenë në dispozicion të skuadrës, si pasojë e një lëndimi, ndërsa francezët vuajnë mungesën e vetme të Renato Sanches,
Dy duelet do të luhen sot në mbrëmje, në orën 21:00. (A2 Televizion)