Armand Duka rizgjidhet President i FSHF

Nga A2 CNN
15 Mars 2022, 11:02 | Futboll
Armand Duka rizgjidhet President i FSHF

Mes kontestimeve për proces të paligjshëm dhe vendimeve ndaluese të gjykatës, Federata e Futbollit zhvilloi asamblenë zgjedhore, në të cilën Armand Duka u konfirmua si president, për mandatin e gjashtë me radhë.

Nga 55 anëtarë me të drejtë vote, të pranishëm në procesi ishin 43 delegatë, me të tjerët që e kishin bojkotuar Asamblenë, pas thirrjes së kandidatit Dritan Shakohoxha, për proces të jashtëligjshëm dhe të parregullt.

Pas votimit, Duka fitoi 37 vota në favor, kundër 4 votave të Sulejman Starovës dhe 2 fletë votimi ishin të pavlefshme.

“Kam dëgjuar baltë, shpifje, ofendime, por do t’ i shmang ashtu si natyra jonë, me sportivitet. Dëshiroj t’i lëmë pas ato që kemi kaluar gjatë këtyre dy muajve. Dëshiroj që bashkë me aktorët dhe faktorët e vendit të kontribuojmë për zhvillimin e futbollit”, tha Duka pas votimit.

Edhe pse plotësoi kuorumin, ky është numri më i ulët i votave që Armand Duka ka marrë në krye të FSHF-së në këto dy dekada. Mbetet për t’u parë nëse kjo rizgjedhje e tij do të legjitimohet nga gjykata dhe nëse do të certifikohet nga UEFA, por edhe si do të vijojë çështja e kreut të federatës në rrugë ligjore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos