Champions League, UEFA zyrtarizon datat e gjysmëfinaleve

Nga A2 CNN
16 Prill 2021, 08:27 | Futboll
Champions League, UEFA zyrtarizon datat e gjysmëfinaleve

UEFA zyrtarizoi datat e dy gjysmëfinaleve të Champions League për këtë edicion. Këto janë ndeshjet ku një skuadër franceze, një spanjolle dhe dy angleze do të luftojnë për të siguruar një biletë në finalen e madhe për trofeun.

Duelet do të nisin të martën e 27 prillit, me ndeshjen ndërmjet Realit të Madridit dhe Chelsea. Takimi do të luhet në stadiumin “Alfredo Di Stefano”. 24 orë më pas, pra të mërkurën e 28 prillit, në fushë do të zbresin Paris Saint Germain dhe Manchester City. Ndeshja do të luhet në Paris.

Gjysmëfinalet e kthimit do të luhen duke ndryshuar vendet e skuadrave. Të parët në fushë do të zbresin Manchester City dhe Paris Saint Germain. Sfida në “Etihad Stadium” do të luhet në datën 4 maj. Ndërkohë, më 5 maj, Chelsea do të presë në Londër Realin e Madridit.

Bazuar në datat e përcaktuara nga UEFA, Manchester City dhe Chelsea kanë avantazhin se e luajnë ndeshjen e dytë në shtëpi. Por, edhe pse një derbi anglez në finale do të ishte sugjestionues, asgjë nuk duket e sigurt.

Fituesit e sfidave gjysmëfinale do të luajnë në finalen e 29 majit, në stadiumin olimpik “Ataturk” të Stambollit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos