
Ndeshja më e madhe e turnit të mesjavës në Premier League ndërmjet Chelsea dhe Liverpool përfundoi pa fitues. Me trajnerin e përkohshëm Saltor në stol, londinezët barazuan 0-0 përballë Reds.
Edhe pse pritshmëritë ishin të mëdha, protagonisti i vërtetë i sfidës u bë sistemi VAR, që i anuloi vendasve dy gola.
Fillimisht, në minutën e 26-të, Chelsea-t iu anulua goli i James. E njëjta situatë me ndërhyrjen e VAR u përsërit edhe në fillimin e pjesës së dytë të lojës.
Festimi i Havertz u ndërpre nga arbitri i ndeshjes, për prekje të topit me dorë. Përballja vijoi pa emocione, ku as aktivizimet e Salah dhe Robertson nuk sollën efektin e dëshiruar për Liverpool.
Në këtë mënyrë, skuadrat u ndanë në barazim pa gola, që efektivisht nuk kënaqi askënd. Liverpool nuk fiton në kampionat prej datës 5 mars, kur shkatërroi 7-0 Manchester United dhe e sheh veten në kuotën e 43 pikëve,7 pikë larg zonës Champions.
Në anën tjetër, Chelsea mbetet në krizë të plotë, pavarësisht largimit të trajnerit Potter. Me 39 pikë, blutë pozicionohen në vendin e 11-të, shumë larg kupave të Europës. (A2 Televizion)