
Pesë humbje në 8 javët e fundit nuk mund të përtypen lehtë nga drejtuesit e Chelsea-it për objektivat që kanë vendosur.
Një ecuri e tillë, me blutë që janë praktikisht jashtë nga gara për titullin kampion, solli shkarkimin e trajnerit Frank Lampard, një prej ish-futbollistëve që ka bërë historinë me fanellën e londinezëve.
11 pikë distancë nga vendi i parë janë shumë për numrin një të klubit, Roman Abramovic, që i jep fund bashkëpunimit me Lampard, edhe pse në fundjavë Chelsea bëri detyrën duke u kualifikuar në turin tjetër të Kupës. Klubi njoftoi shkëputjen e marrëdhënieve në rrjetet sociale duke e falënduar njeriun e tyre punën e deritanishme.
Blutë e Londrës ishin protagonistë të një prej merkatove më të mira dhe më të kushtueshme në një kohë pandemie, me lojtarë si Havertz, Verner, Tiago Silva, Ciluell apo Zijek ndaj dalja nga gara ende pa u mbyllur mirë gjysma e parë e sezonit është e papranueshme për ta.
Megjihatë, Chelsea nuk është dorëzuar dhe për të vazhduar rrugëtimin që kërkohet, ka zgjedhur një emër të njohur të futbollit europian. Thomas Tuchel, tekniku që deri para pak javësh drejtonte Paris Saint Germain, është njeriu që do të vazhdojë projektin në krye të stolit të londinezëve. (A2 Televizion)