Stoli bardheblu, Nevil Dede largohet para ndeshjes me Laçin

Nga A2 CNN
25 Janar 2021, 13:53 | Futboll
Stoli bardheblu, Nevil Dede largohet para ndeshjes me Laçin

Nevil Dede nuk do të jetë më trajner i Tiranës. Vetëm pak minuta përpara startit të ndeshjes së humbur me Laçin, tekniku mori çantën dhe u largua nga stadiumi.

Marrëdhënia e shkëputur me klubin ndodhi ndërsa ekipi po hynte në fushë, pas një mbledhjeje, ndërkohë qw lojtarët ishin në nxehje. Aty mund të kenë ndikuar disa faktorë, ku ecuria larg pritshmërive e 25 herë kampionëve duket vetëm maja e ajsbergut dhe nuk përjashtohen ndërhyrjet teknike.

Arsyet e largimit të Dedes nuk i zbuloi as Presidenti Refik Halili: “Pyesni trajnerin, le të flasë ai i pari. Sepse sa herë që kam folur unë i pari, më ka dalë mua më keq. Unë jam në rregull me gjërat e mia. Pasi të flasë ai, do ta mësoni si është e vërteta. Sa herë kam folur unë, mua më ka kushtuar ana financiare. Ne si klub do të punojmë të gjithë bashkë, skuadrën e kemi, por duhet shumë punë për të ecur përpara”.

Nevil Dede u emërua në krye të stolit të Tiranës më 13 nëntor 2020, duke zëvendësuar trajnerin kampion Emmanuel Egbo. Ish-kapiteni e drejtoi skuadrën në 13 javë të Kategorisë Superiore, duke regjistruar tre fitore, dy humbje dhe 8 barazime. Ekipi u drejtua përkohësisht nga drejtori sportiv, Tefik Osmani, me Tiranën që pas humbjes është larg luftës për titull dhe tashmë duhet të gjejë një trajner të ri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos