
Mund të kishte qenë mbrëmja që Maurizio Sarri të fitonte trofeun e parë në karrierën e tij mbi 20-vjeçare, por u shndërrua në një mbrëmje dramatike, ku pas një serie rezultatesh të tmerrshme, autoriteti i tij brenda skuadrës u shkatërrua plotësisht.
Në finalen e Kupës së Ligës (Carabao Cup), Manchester City triumfoi përmes gjuajtjes së penalltive, pasi në kohën e rregullt dhe 30 minutat e shtesës topi nuk përfundoi asnjëherë në rrjetë. Nga pika e bardhë për Blutë gabuan njeriu më i besuar i Sarrit, Jorginho, dhe David Luiz, ndërsa për Cityn vetëm Sane.
Por ndeshja do të mbahet mend për një episod të veçantë në minutën e fundit të shtesës, kur pasi u duk se ishte dëmtuar, Sarri vendosi të zëvendësonte portierin Kepa, duke bërë gati Caballeron. Por bashku refuzoi të zbatonte urdhrin dhe nuk doli nga fusha, duke tërbuar trajnerin italian. Një episod që do të mbahet mend gjatë në futbollin anglez.
Sa për Cityn, ky ishte viti i dytë radhazi që triumfon në Kupën e Ligës, trofeu i fundit për nga rëndësia në kompeticionet e ishullit, por gjithsesi i rëndësishëm për t’u shtuar në “bufenë” e sukseseve.
City bëhet kështu skuadra e katërt që arrin të mbrojë trofeun, dhe e para që prej vitit 2010, kur Manchester United e fitonte për herë të dytë. Gjithashtu kjo është hera e parë në historinë e klubit që City arrin të mbrojë një trofe. (A2 Televizion)