
Ndoshta shumë pak e kishin parashikuar që mbi tre dekada nga ardhja e demokracisë në politikën shqiptare, familje të tëra të diskutojnë sigurimin e ushqimit. Dhe këtë fakt e pohojnë vetë qytetarët e Gjirokastrës, të cilët nuk ngurrojnë të tregojnë nivelin ekonomik ku janë, si dhe të drejtojnë thirrje për Kryeministrin.
“Fukarallëk i madh gjithandej. Ekonomia është niveli zero. Duhet të punojë më shumë qeveria për të parë pensionistët dhe më pas shtresat e tjera”, thotë një i moshuar. “Varfëri e madhe, as në minimumin jetik nuk mendojmë”, thotë një tjetër.
Nga ana tjetër, edhe vetë tregtarët kanë arritur në pikën që aktualisht po punojnë për të siguruar bukën për familjet e tyre. “Jemi thjesht për mbijetesë, aty ka arritur situata”, tregon një tregtar. Ndërsa fletoret e borxheve datojnë që nga viti 2018, me miliona lekë që nuk i kanë marrë nga qytetarët. “Borxhi nuk po zvogëlohet, por po zmadhohet”.
Dhe sikur të mos mjaftojë kjo situatë ku ndodhen më së shumti pensionistët dhe shtresat në nevojë, çmimet e produkteve ushqimore sa vijnë e rriten ende. (A2 Televizion)