
Autoriteti i Konkurrencës mund të nisë një hetim pas raportimit të A2 CNN mbi diferencën e çmimeve të fruta-perimeve nga fermerët te konsumatori fundor. Burime pranë këtij institucioni, thonë se pasi të analizohen të gjitha faktet e paraqitura në raportim, mund të shërbejnë si një fillesë për nisjen e një hetimi.
Çmimet e frutave dhe perimeve pësojnë një rritje drastike nga shitja e fermerit te grumbulluesit e deri te konsumatori fundor. Nga një vëzhgim që A2 CNN kreu, çmimi shumëfishohet gjatë gjithë zinxhirit tregtar.
Në tregun e fruta-perimeve në Lushnjë që në orët e para të mëngjesit, fermerët dhe grumbulluesit hyjnë në një luftë të ashpër tregtare për çmimet e prodhimeve bujqësore që kanë nxjerrë të shesin. Prej kohësh, arkat e mbushura me fruta-perime qëndrojnë gjatë në treg, pasi kërkesa ka rënë, së bashku me çmimin tregtues.
Një pjesë e konsiderueshme e prodhimit të Myzeqesë shkon në tregun agro-ushqimor të Tiranës. Rritja e zinxhirit të çmimeve vijon edhe te tregtarët që shesin me pakicë për konsumatorët. Këtu çmimet janë të paktën 20 deri në 30 lekë më shumë se te tregu agro-ushqimor i Tiranës. (A2 Televizion)