
Merkato e Milanit nuk ka nisur në mënyrën më të mirë ose të paktën siç çdo tifoz kuqezi priste pas fitimit të titullit kampion.
Blerje e talentit të Brugge, De Ketelaere është kthyer në një telenovelë të gjatë me shumë seri. Edhe pse belgu e kandarë mendjen se do të largohet nga Brugge, këta të fundit duan të përfitojnë sa më shumë nga shitja e lojtarit dhe nuk kanë pranuar ende asnjë ofertë për të.
Sipas mediave italiane, ata kanë ritheksuar dëshirën për të arkëtuar 35 milionë euro, ndërkohë që oferta e Milanit mbetet 32 milionë. 3 milionë euro diferencë nuk mund të dërgojë në dështimin e akordit, por në zvarritjen dhe më shumë të këtij transferimi.
Megjithatë, në kampin kuqezi ka optimizmin se të paktën deri në javën e ardhshme, do të mbyllen dhe detajet e fundit. Nga ana tjetër, Milani nuk është e vetmja skuadër që kërkon talentin 21-vjeçar pasi në garë është vënë dhe Lids me një ofertë shumë më të mirë se ajo e kuqezinjve, por dëshira e futbollistit është vetëm Milan. Për këtë arsye, edhe trajneri i Lidsit, që më parë kishte ofruar 37 milionë euro për De Keteleren, duket i dorëzuar.
“Do donim ta kishim në skuadër, por është e qartë se ai do të shkojë dikur tjetër, ndaj edhe ne e kemi spostuar vëmendjen te lojtarë të tjerë që mund të na bëjnë punë”, tha mes të tjerash numri një i Lids. Me shumë gjasa, deri në javën e ardhme, belgu do të vendosë përfundimisht për të ardhmen e tij. (A2 Televizion)