Debati për portin e Durrësit, Meta: Projekti antikushtetues do të çojë Ramën para drejtësisë

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2022, 13:20 | Politikë
Debati për portin e Durrësit, Meta: Projekti antikushtetues do të

Ilir Meta deklaroi se Edi Rama do të dalë para drejtësisë për Portin e ri të Durrësit, të cilën e quan një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave.

Kreu i Partisë së Lirisë tha se prona më strategjike e vendit do të përfundojë në dy hotele me 800 shtretër dhe një marinë te vogël me 280 vende parkimi. Sipas Metës, përjashtimi nga taksat në këtë rast është shkelje e Kushtetutës pasi diskriminon bizneset e të njëjtës kategori.

“Sot kur Parlamenti me nxitim dhe përmes sulmeve të paprincipta nga përfaqësues të mazhorancës bërë deputetëve të opozitës, thellon përgjegjësinë e tij për megaaferën më të madhe deri tani që është pikërisht grabitja e Portit të Durrësit, asetit më strategjik të Shqipërisë. Kryeministri aktual i kapur në flagrancë si organizatori, miratuesi dhe përfituesi kryesor i grabitjes së Portit të Durrësit, sot është nën akuzë përpara të gjithë shqiptarëve sepse faktet flasin vetë, faktet janë shumë të rënda dhe të pamohueshme.

Së pari, prona më e rëndësishme në pikëpamjen strategjike dhe ekonomike e Shqipërisë do t’i jepet kompanive guackë me pronarë të fshehur. Pra, me pronarë të panjohur, me fonde të panjohura dhe që nuk u dihet origjina e tyre. Thënë thjesht, asnjë shqiptar nuk di se në duart e kujt po përfundon një pronë e tillë kolosale.

Së dyti, projekti nuk është një projekt strategjik, por është thjesht një projekt ndërtimi pallatesh dhe apartamentesh, pasi në fund të gjithë këtij projekti, rezultojnë të ndërtuara vetëm dy hotele me 800 shtretër dhe një marinë e vogël me 280 vende parkimi. Pra gjithçka është e orientuar tek biznesi i apartamenteve dhe prona strategjike e portit të Durrësit më e rëndësishmja që ka Shqipëria falet për apartamentet.

Së treti, do të falen qindra milionë euro taksa, falen 820 mijë metra katrorë me një vlerë dhe kjo qindra miliona euro ndërkohë që është parashikuar edhe fond për shpronësime të tjera, dhe e gjithë kjo do të bëhet për të ndërtuar apartamente.

Së katërti, përjashtimi nga taksat është një shkelje flagrante e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pasi trajton në mënyrë të diferencuar dhe diskriminuese bizneset e të njëjtës kategori, pra në Durrës, kompanitë e ndërtimit të zakonshme do të paguajnë 7% taksë (4% për Taksën e Ndikimit në Infrastrukturë dhe 3% Taksën e Strehimit Social), ndërsa apartamentet e Edi Ramës do të përjashtohen nga kjo taksë.

Ashtu siç del e qartë nga Plani i Financimit të Projektit, kemi të bëjmë me një skemë të pastër dhe të mirëfilltë të pastrimit të parave, sepse vetëm 6.8% e investimit prej 2 miliardë Euro, do të financohen përkatësisht: 3.4% nga aksionerët dhe 3.4% nga Bankat. Pra, rreth 130 milionë euro.

Ndërsa pjesa tjetër, 93.2% do të jetë me vetë-financim, pra, prit të shiten apartamentet që të vazhdojë investimi me apartamentet e tjera.

Megjithëse Bashkimi Europian ka qenë i qartë dhe i prerë lidhur me pasaportat e Arta, për të cilat rrezikohet seriozisht ndalimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në BE, marrëveshja e Edi Ramës parashikon që kushdo blen një apartament mund të favorizohet me një pasaportë shqiptare, pra të lëvizë në të gjithë zonën Schengen.

Përse, Edi Rama është i gatshëm të sakrifikojë edhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve? Përgjigja është e qartë, për të pastruar paratë. Bashkimi Europian ka qenë i qartë dhe i prerë që ky projekt është në kundërshtim të hapur me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së. Përse Edi Rama, është egërsisht kundër transparencës dhe kundër zbatimit të marrëveshjes së stabilizim asociimit duke insistuar në avancimin e nxituar të këtij projekti mafioz dhe jo transparent? A mungojnë në Europë investitorët shumë të fuqishëm dhe seriozë që mund të investonin seriozisht dhe me transparencë në Portin e Durrësit?

Cili është fati, kur do ndërtohet dhe a ka burim financimi për portin e ri të mallrave që do duhet të ndërtohet e që kushton të paktën mbi 1 miliardë e gjysmë Euro? Errërisa e plotë, e qëllimshme për këtë çështje madhore, është për t’i humbur Shqipërisë këtë aset ekonomik të paçmuar, siç është Porti i Mallrave për të ndihmuar tërë ata që kanë interesa edhe në defaktorizimin e Shqipërisë dhe humbjen e rolit të saj si nga pikëpamja ekonomike, ashtu dhe nga pikëpamja politike dhe gjeostrategjike.

Është shumë e qartë se projekti nuk është aspak strategjik, nuk është aspak turistik, dhe nuk është aspak transformues për potencialin turisitik të qytetit, sepse është qartazi një biznes ndërtimi apartamentesh duke grabitur pronën më strategjike të Shqipërisë. Është koha që drejtësia të veprojë sa më parë, në thellësi për këtë mega aferë e cila tashmë është në dritën e diellit dhe që ne do t’i shkojmë deri në fund edhe me faktet e reja që do të bëjmë publike”, tha Meta. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/11/11/marreveshja-per-ndertimin-e-portit-te-jahteve-850-dhoma-hoteli-2-mld-euro-investim/
https://a2news.com/2022/11/15/debate-e-fyerje-per-portin-e-durresit-spaho-largohet-nga-komisioni-brace-pyet-per-kompani-offshore/

A2 CNN Livestream

Latest Videos