
Protestën e 12 nëntorit poshtë zyrës së tij, kryeministri nuk e ka lexuar si një zemërim të qytetarëve ndaj qeverisjes së tij, por vetëm si një “show force” të Sali Berishës dhe Ilir Metës. Me këtë argument ai u mundua t’i tregojë simpatizantëve të kampit të kundërt që dy kundërshtarët e tij po I shfrytëzojnë hallet e qytetarëve për kauzat e tyre.
“Për çfarë proteste flisni?! Për cilët qytetarë flisni?! Për një protestë partish?! Një non grata dhe një spiun që mbledhin militantët e tyre! Le ta bëjnë sa herë të duan. Kjo nuk ka lidhje me qytetarët e shqetësuar. Kjo është një protestë partish për pushtet për të prishur e për të marrë, me të vetmin rezultat që hodhën ca bojë këtu që iu desh punëtorëve natën për ta larë. Kështu është ndarë kjo punë. Ata bëjnë pis, ne pastrojmë. Çfarë proteste?! As nuk di sa ishin, as nuk i kam parë, as nuk më interesojnë fare. Le ta bëjnë çdo ditë po të duan. Kjo është një çorbë që e kemi parë prej 30 vjetësh që e gatuan i njëjti kuzhinier, non grata”, tha Rama. “Më vjen keq për ata që pavarësisht se janë militantë harrojnë që po shkojnë pas disave që paguhen nga të huajt për të bërë dëm në këtë vend”.
Financimet ruse vijon të jenë karta politike e kryeministrit kundër kundërshtarit politik, Sali Berisha. “Nuk besoj se është e vështirë të bëhet dallimi mes komentit të një fakti dhe të akuzave pa fakte. Që PD-ja është financuar me para ruse gjysmë milioni dollarë për të rrëzuar PS-në, kjo nuk është një akuzë, por një fakt i dokumentuar për fat të keq. Një fakt i zbuluar nga media në SHBA, i përqeshur gjerësisht nga shumëkush këtu dhe i konfirmuar nga raporti i shërbimit Sekret Amerikan, CIA. Ndërkohë, akuzat me serbë apo nuk e di çfarë tjetër, janë prodhime të një tërbimi të madh, i një tërbimi non grata dhe spiunësh, për investimin më të madh të huaj në rajon, i cili do të jetë një investim krenarie kombëtare, do të transformojë Durrësin, do të rrisë vlerën e pasurive të patundshme në të gjithë zonën e Durrësit, do të rrisë vlerën dhe çmimet e hotelerisë në të gjithë zonën e Durrësit, do të rrisë punësimin në Durrës e Tiranë. Të ngresh akuza në Hava është një fatkeqësi e madhe. Por ne e kemi bërë zgjedhjen, jemi në anën e dinjitetit dhe të krenarisë kombëtare”, tha Rama.
Rama shtoi më tej se Partia Demokratike nuk është e vetmja parti që është financuar nga rusët. “Fjalët e mia nuk dalin kot. Unë nuk hedh fall, nuk flas pa fakte”, tha Rama.
Qeveria nuk do të bëjë hapa pas për Portin e Durrësit pavarësisht kundërshtive dhe nismave kushtetuese të opozitës. Ky investim sipas Edi Ramës do të ndikojë në ekonominë, veçanërisht në sektorin e turizmit të Shqipërisë. (A2 Televizion)