Holanda mbështet integrimin, kryeministri Rutte tregon në Tiranë pse ndryshoi mendje

Nga A2 CNN
10 Nëntor 2021, 16:48 | Politikë
Holanda mbështet integrimin, kryeministri Rutte tregon në Tiranë

Dikur ishte një ndër vendet bllokuese të procesit të integrimit të Shqipërisë, por sot Holanda  ka ndryshuar kurs tërësisht. Arsyet e kësaj qasje i tregoi vetë kryeministri Rutte gjatë vizitës zyrtare në Tiranë,  ku dha dhe mbështetjen e vendit të tij. 

“Kemi një marrëdhënie shumë të ngushtë në këto 2 vite në luftën kundër krimit të organizuar. E kemi diskutuar edhe në takimin dypalësh për forcimin e bashkëpunimit. Të gjithëve na duhet të bëjmë shumë punë, por progresi që është arritur në 5 vite e fundit ka qenë aq i madh sa bëri të mundur për ne që të themi "Po". Ne duam që ky rajon të ketë perspektivën e Bashkimit Europian, sepse jemi miq, fqinjë dhe sepse të tjerët jashtë rajonit mund të kenë të tjera qëllime”, u shpreh kryeministri holandez.

Kryeministri Rama falënderoi homologun holandez në angazhimin për zgjedhjen e konfliktit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa u shfaq shpresëplotë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare brenda vitit. 

“E dimë që Francë, Gjermania, Holanda janë të gjithë gati për t’u ulur si BE në konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë për të nisur procesin e gjatë të negociatave, por duhet zgjidhur ngërçi i krijuar nga vetoja e Bullgarisë.  Unë e falënderoj mikun tim Mark për kontributin personal në komunikimin me palën bullgare drejt zgjidhjes dhe përpara se të mblidhet Këshilli Europian në dhjetor”, deklaroi Edi Rama.

Kryeministri Rama kërkoi më shumë mbështetje nga BE, ndërsa ofroi si zgjidhje të situatës konfliktuale në rajon “Ballkanin e Hapur”.

“Ajo që shohim në rajon këto ditë që nuk janë shenja të mira as në Bosnjë apo në Malin e Zi as mes Serbisë dhe Kosovës janë një arsye për të shtuar më shumë forcat dhe për të rritur bashkëpunimin. “Ballkani i Hapur” nuk është një çelës magjik, por është një instrument që i shërben këtij qëllimi. Unë besoj se nuk duhet të ketë 'ose po ose jo' për integrimin, por ndërmjet duhet të krijojmë hapësira për t'i dhënë më shumë mundësi të rinjve”, shtoi Rama.

Iniciativa u mbështet dhe nga kryeministri Holandez, i cili theksoi rëndësinë e integrimit Rajonal.

“Ne jemi në favor të integrimit rajonal sa kohë është i hapur të gjithë dhe unë kuptoj që është i hapur. Ndihmon të punohet drejt hapave të mëtejshëm në bisedimet e anëtarësimit. Unë jam i shqetësuar për Bosnjën pasi duket sikur serbët e Bosnjës në këtë moment po shkelin hapur marrëveshjen e Dejtonit dhe Kushtetutën e Bosnjës. Po punojmë për të mos lejuar që sistemi politikë në atë vendet të ndahet”, përfundoi Rutte.

Vizitën e tij në Shqipëri, Rutte e mbylli me inspektimin e Piramidës, për projektin e së cilës po punojnë arkitektë holandezë.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos