
Gazment Bardhi në emër të Partisë Demokratike akuzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se ka shkelur ligjin, pasi ka regjistruar kandidatin Qerim Ismailaj, i cili sipas tij, preket nga ligji i dekriminalizmit.
Bardhi tha se Ismailajt i ndalohet kandidimi deri në 2025 për shkak të vendimit të gjykatës kundër tij për mosdeklarimin e një dënimi të mëparshëm në Greqi. Po ashtu njoftoi se vendimi i Celibashit do të ankimohet në KAS.
“Sipas ligjit të dekriminalizimit, kryekomisoneri Celibashi dhe këshilli i ministrave duhej të kishin urdhëruar shkarkimin e menjëhershëm nga detyra. Ky urdhër nga kushtetuta e ligji nuk u ndërmor as nga Celibashi, as nga Këshilli i Ministrave. Me një akt të paprecedentë, në injorim të thirrjeve të SHBA për kandidatë të pastër e të padënuar dhe jo me precedent, vendosën të rikandidojnë Isamailajn për bashkinë e Mallakastrës, Qerim Ismailaj nuk mund të ushtrojë asnjë funksion shtetëror përfshirë atë të kandidimit të kryetarit të Bashkisë përfshirë atë Mallakastër. Ne do të depozitojmë ankim pranë komisionit të ankesave me qëllim zbatimin e përpiktë të ligjit të dekriminalizimit", tha Bardhi. (A2 Televizion)