
Partia Demokratike i kërkoi sërish Kryeministrit Rama shkarkimin e Kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku. Në një deklaratë për mediat ish-deputetja Dhurata Çupi akuzoi kreun e Qeverisë se ka qenë në dijeni për çështjen Kajmaku.
“Edi Rama duhet ta kishte shkarkuar Agim Kajmakun që në momentin, kur prokuroria verifikoi zyrtarisht se ai kishte shkelur ligjin e dekriminalizimit, duke fshehur krimin për të cilin ishte arrestuar dhe ishte në kërkim në Greqi dhe në kërkim europian deri pak kohë më parë”, tha Çupi. “Duke mbajtur në detyrë një funksionar të lartë publik që shkel ligjin, që kryen vepra të rënda penale dhe mashtron qytetarët, Edi Rama tregon se antiligji është modeli i tij i qeverisjes”, tha Çupi.
“Gjatë gjithë kësaj kohe, Edi Rama ka qenë në mbrojtje të Agim Kajmakut, edhe pse e dinte se ai ishte subjekt i ligjit të dekriminalizimit. 3 javë më parë, Edi Rama e mbrojti atë edhe publikisht. Duke kandiduar persona me të kaluar kriminale, si në Shkodër, Vorë apo Vaun e Dejës, Edi Rama dëshmon se nuk ka ndërmend të marrë seriozisht plotësimin e 9 kushteve të Bundestagut, që është e vetmja rrugë për të hapur derën e mbyllur të Europës për të katërtën herë radhazi”. (A2 Televizion)