
Në distancën e tre vjetëve nga dënimi i paprecedentë që UEFA i dha Skënderbeut, me akuzën e trukimit të mbi 50 ndeshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, çështja merr një kthesë të papritur.
Një ish-ministër dhe një biznesmen shqiptar, kanë paditur për shpifje dhe pritje të imazhit, dy ish-inspektorët e UEFA-s që përpiluan raportin, i cili solli dënimin me 10 edicione përjashtim nga kupat e Europës dhe 1 milion euro gjobë për klubin korçar.
Padia u bë në Gjykatën e Policisë së Nionit, ndërsa në artikullin e publikuar nga gazeta “Lacote” nuk përmendej emri i ministrit apo i biznesmenit shqiptar. Gjithsesi, bazuar në raportin e trukimeve të publikuar nga UEFA në shkurt të vitit 2018, mes personazheve të përmendur më së shumti dhe të akuzuar fort nga ish-inspektorët është ish-ministri i Financave, Ridvan Bode.
Në raportin e UEFA-s, që u shoqërua me dënimin e Skënderbeut, theksohej se “ish-ministri i Financave u bë një prej donatorëve të klubit pas ndryshimeve mes drejtuesve në sezonin 2009-2010”. Ai akuzohej se “mbetej një personazh me shumë influencë te Skënderbeu dhe për rrjedhojë kishte ndikim te njerëzit që punonin në klub dhe në trukimet e ndeshjeve”. Duke u bazuar edhe në akuzat që shkëmbeheshin në Parlamentin shqiptar, raporti i UEFA-s doli në konkluzionin se “zoti Bode kishte pushtetin, lidhjet dhe njohuritë që të ndikonte në rezultatin e ndeshjeve të Skënderbeut, diçka të cilën e ka bërë në periudhë disa vjeçare”.
Në vlerësimin e dy ish-inspektorëve, që u morr për bazë edhe nga UEFA, “elementet kryesore të komplotit përfshijnë lidhjet e forta me autoritetet publike, me kompanitë e basteve dhe grupet kriminale”, duke përmendur ish-ministrin Bode, ish-presidentin e Skënderbeut, Zeqo dhe presidentin aktual ArdjanTakaj. Kallëzimi për shpifje i realizuar pas një udhëtimi të papritur në Nion ka hapur një tjetër kapitull të betejës së Skënderbeut apo personazheve të përfshirë me klubin kundër UEFA-s. Me skuadrën që humbi gjyqin në të gjitha shkallët, nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv deri në Gjykatën Federale në Zvicër, tashmë personat e veçantë kërkojnë dëmshpërblim për prishje të imazhit. (A2 Televizion)