
Të nesërmen e prangosjes së Saimir Tahirit, Edi Rama u strehua në rolin e tij institucional prej kryeministri që nuk komenton vendimet e gjykatave, ndonëse i dënuari është jo vetëm më jetëgjati në qeverinë e tij, por dhe një prej bashkëpunëtorëve më të afërt, aq sa ish-shefin e Punëve të Brendshme e thërriste me titullin “superministri”.
“Nuk komentoj vendimet e gjykatave. E kam ditur mirë çfarë kam bërë kur kam udhëhequr reformën në drejtësi. Sot jemi këtu për çështje krejt tjetër dhe vlerë shumë të madhe. Patjetër që për çështje të tjera, do të kemi plot kohë dhe mundësi të tjera të flasim”, tha Rama.
Çfarë nuk kishte problem të komentonte ishte aleanca në zgjedhjet e 6 marsit mes Komisionit të Rithemelimit të PD dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Roli institucional prej kryeministri që kishte marrë më herët për Tahirin, nuk e pengoi të përdorte emrin e gruas së Sali Berishës, për të tallur koalicionin “Shtëpia e Lirisë”.
Të njëjtin koalicion, Lulzim Basha e ka përkufizuar si “Shtëpia e Ilirit”. (A2 Televizion)