
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, u shpreh se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet që të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare, por sipas saj pengesa e vetme mbetet marrëdhënia mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
“Konkluzioni i dhjetorit të Këshillit të BE-së të 2021: Të mbahet sa më shpejt Konferenca e Parë Ndërqeveritare. Mundësitë tona nuk kanë qenë kurrë më të mëdha, por ne vazhdojmë të mbetemi një dëm kolataral midis mosmarrëveshjes së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Ne i kemi kryer detyrat e shtëpisë për hapjen e negociatave me BE-në. Shqipëria e ka dëshmuar veten si një partner i besueshëm i BE-së”, tha Xhaçka.
Por kjo, sipas kryetares së Këshillit të Integrimit, e njëkohësisht nënkryetares së PD-së, Jorida Tabaku është vetëm justifikim nga qeveria.
Jorida Tabaku: Të gjithë kanë emëruesin e përbashkët: Vullnet politik. Ne nuk mund të fshihemi pas vetos së Bullgarisë, duhet të bëjmë punën tonë këtu.
Këtë qëndrim, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, njëherësh nënkryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit, nuk e pranoi.
Taulant Balla: Nuk fshihemi pas vetos së Bullgarisë, pasi ajo ka bërë të qartë se nuk ka asgjë me Shqipërinë. Kemi përmbushur në Kuvend paketën e Manival. Po ashtu dua të jetë e qartë dhe çështja e atij indeksit të korrupsionit, të publikuar nga Transparence Internacional, me një rënie të ulët. Por në vitin 2013, kemi qenë në nivelin më të rëndë historik. E pranoj që nuk jemi të kënaqur. Por ku ishim, Zot na ruaj.
Kryenegociatori i Shqipërisë për Integrimin në BE, Zef Mazi theksoi gjatë fjalës së tij se 27 vendet anëtare janë dakord me kuadrin negociues për Shqipërinë dhe se ka mbetur vetëm miratimi formal, teksa i bëri thirrje shoqërisë civile që të jetë më aktive në procesin e integrimit. (A2 Televizion)